VIDEO/Tetori Rozë :Mamografia ofrohet vetëm në spitalet rajonale

0

Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një fushatë globale që synon të nxisë gratë dhe vajzat të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të kryejnë kontrolle të rregullta. Në Shqipëri, prej disa vitesh, ky muaj shënohet me ofrimin e mamografisë falas për gratë, si një hap i rëndësishëm drejt diagnostikimit të hershëm dhe mbrojtjes së jetës.
Megjithatë, këtë vit ky shërbim nuk ofrohet më përmes mamografive lëvizëse, të cilat më parë sillnin kontrollin më afër komuniteteve të largëta. Sot, mamografia falas kryhet vetëm në spitalet rajonale, çka ka krijuar një ngarkesë të ndjeshme në këto institucione.
Gratë që jetojnë në zona rurale apo larg spitaleve rajonale përballen me sfida të shtuara ,sic është koha e gjatë e pritjes në radhë, çka shpeshherë ndikon negativisht në motivimin e tyre për të kryer kontrollet e nevojshme.
Nga ana tjetër, vetë mjekët dhe stafi mjekësor që ofron këtë shërbim flasin për një mbingarkesë të konsiderueshme gjatë muajit tetor. Numri i lartë i grave që kërkojnë të përfitojnë nga mamografia falas ka çuar në përdorim intensiv të aparaturave, duke rritur rrezikun për defekte teknike apo mbinxehje të pajisjeve të mamografisë.
Kjo situatë ngre nevojën për rishikim të mënyrës së ofrimit të këtij shërbimi jetik. Rikthimi i mamografive lëvizëse, shpërndarja më e mirë e burimeve njerëzore dhe teknike, si dhe një planifikim më i zgjuar i fushatave sensibilizuese janë hapa të domosdoshëm për të siguruar që çdo grua të ketë akses të barabartë dhe të lehtë në kontrollin e shëndetit të saj.

Infoweb Media