Tjetër ngjarje e rëndë në Elbasan, 34-vjeçari tenton të vras komshiun me levë

0

DVP Elbasan

Tentoi të vriste fqinjin e tij, duke e goditur me automjet dhe me levë, për shkak të një konflikti për motive pronësie, vihet në pranga 34-vjeçari.

Ky shtetas u kap në PKK Kapshticë, në tentativë për t’u larguar nga vendi.

Sekuestrohen automjeti dhe mjeti i fortë (levë metalike) që u përdoren për kryerjen e këtij krimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas ishte dëmtuar me sende të forta, nga fqinji i tij, pas një konflikti ndërmjet tyre, kanë organizuar punën për kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Kapshticë, u kap dhe u ndalua në këtë pikë të kalimit kufitar, në tentativë për të dalë nga vendi ynë, shtetasi G. M., 34 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Elbasan.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ditën e djeshme, për shkak të një konflikti për motive pronësie, shtetasi G. M. ka goditur me automjet dhe me levë metalike, fqinjin e tij, shtetasin H. M., 57 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Elbasan, i cili lëvizte me biçikletë. 57-vjeçari ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti i fortë (levë metalike) dhe automjeti që dyshohet se janë përdorur nga shtetasi G. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu