Dy të rinj u arrestuan të enjten, 3 dhjetor, në Elbasan, ndërsa transportonin në makinë 3 emigrantë sirianë që i kishin marrë në Korçë. Të arrestuarit, të 2 nga Korça, u zbuluan nga shërbimet e policisë pasi kishin kaluar në territorin që mbulohet nga policia e Elbasanit, ndërsa kjo e fundit njoftoi se ata akuzoheshin për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe se nga hetimet ishte mësuar që do të paguheshin me nga 150 euro për çdo person që transportonin..
Por rasti nuk është i izoluar. Policia e Elbasanit i tha BIRN se gjatë këtij viti numri i personave të përfshirë në trafik qeniesh njerëzore ishte trefishuar. Në vitin 2019 vetëm 11 persona u arrestuan për këtë akuzë, për dy episode të trafikut, ndërsa deri në dhjetor ishin 35 të arrestuar dhe 25 episode trafiku të zbuluara
Sipas policisë veç rrugës kombëtare që lidh Korçën me Tiranën, grupet po përdorin edhe aksin Korçë-Gramsh, që është i amortizuar dhe i rrezikshëm dhe në të cilin janë regjistruar edhe aksidente ku janë përfshirë shtetas nga vendet e treta.
Prokurori i rrethit Kreshnik Ajazi, e cilësoi një problem shqetësues rritjen e numrave të personave që ndaloheshin për akuza të dhënies së ndihmës për kalimin e kufirit me qëllime përfitimi. “Natyrisht këtë vit kemi pasur raste shumë të suksesshme të goditjes së trafikimit të narkotikëve, kultivimit të narkotikëve dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në fjalë popullore trafik i qenieve njerëzore. Nuk është trafikim në kuptimin penal, por me marrëjveshje për termin”, tha Ajazi në një bisedë për BIRN.
Ajazi la të kuptohej se Elbasani ishte një nga rrugët tranzit, për personat që futeshin në Shqipëri nga Korça. Ndërkohë edhe në këtë qark dhe në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë numri i rasteve të ndaluara është rritur disa herë në muajt e fundit.
Mesatarisht Policia e Korçës thotë se ndalon 120 emigrantë në muaj. Por numrat u dyfishuan sëfundmi. Policia e Korçës i tha BIRN se tetori kishte qenë muaj me fluksin më të madh të emigrantëve të kapur pasi kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri. 235 emigrantë të paligjshëm u kapën sipas policisë teksa transportoheshin me mjete të ndryshme, ndërsa u arrestuan 36 persona që po bënin transportimin e tyre./reporter.al