Trump nderon me medaljen e artë djalin e ish-ministrit shqiptar

0

Dario Toska, për të dytën herë brenda një cikli shkollor është nderuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me medaljen më të lartë për arritje akademike. Dario është djali i Valbona Zenelit dhe Igli Toskës, i cili ka qenë ministër i brendshëm në Shqipëri në periudhën 2003-2005, gjatë qeverisjes së Fatos Nanos.

Toska u nderua me medaljen e artë të ekselencës, të programit “President’s Outstanding Education Award”. Kjo medalje jepet dy herë gjatë arsimit të ciklit 8-vjeçar për nxënësit e shkëlqyer, në përfundim të klasës së pestë dhe asaj të tetë. Dario sapo përfundoi me rezultate të shkëlqyera klasën e 8- të të shkollës amerikane Garmisch Elementary/Middle School në Gjermani, pjesë e sistemit të shkollave amerikane në Europë.

Shqiptari Dario Toska, bashkë me prindërit e tij, provuan këto ditë një tjetër gëzim të veçantë. Që nga klasa e parë e deri me përfundimin e klasës së tetë, ai ka pasur vetëm rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur çdo vit si nxënësi më i mirë i shkollës.

Edhe në vitin 2017, me mbarimin e klasës së pestë, Dario u vlerësua me këtë medalje. Presidenti Trump do t’i akordonte për të dytën herë medaljen e artë të ekselencës, një rast ky i rrallë.

Dario ka shkëlqyer jo vetëm në mësime. Gjatë këtyre viteve, ai ka qenë fitues i disa olimpiadave e konkurseve në matematikë, histori, letërsi, Spelling Bee e të tjera dhe ka përfaqësuar shkollën e tij në olimpiada të sistemit të shkollave amerikane në Europë. Dario, megjithëse ende nuk ka mbushur 14 vjeç, zotëron disa gjuhë të huaja dhe pasioni i tij i madh është leximi.

Pa bërë asnjë ditë mësim në gjuhën shqipe, ka lexuar të gjithë veprën e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Dario ka pasion sportin dhe artin, sidomos pikturën. Para disa vitesh u prezantua në një libër së bashku me të ëmën e tij, Valbonën, ku me një mjeshtëri kishte skicuar pikturat e shkrimeve ekonomike dhe politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu