Fshati Orenjë i krahinës së Çermenikës është një ndër destinacionet e turistëve të huaj. Relievi i bukur malor i pasur me lumenjtë dhe burimet ujore nën një shtrirje të madhe, bëjnë që turistët ta kenë të vështirë eksplorimin e plotë brenda ditës. Kjo i ka shtyrë banorët të investojnë në çeljen e bujtinave për të mirëpritur në mënyrë tradicionale turistët.
Përveç bukurive të zonës së Çermenikës, një ndër pikat më të forta të turizmit mbetet edhe tradita në kulinari, të cilën banorët po e ruajnë me fanatizëm.
Kryetari Bashkisë së Librazhdit Mariglen Disha u ka bërë thirrje banorëve të kthehen ne fshatrat e tyre, duke investuar në hapjen e bizneseve të ndryshme, pasi Bashkia ka lehtësuar marrjen e lejeve të ndërtimi si dhe po ndërhyn në infrastrukturë.
“Për momentin prioritet po i japim fshatit që shumë shpejt po mbaron dhe asfaltimi i rrugës dhe shpresojmë që brenda muajit korrik të ketë mbaruar ky segment rruge”, u shpreh Kryetar i bashkisë Librazhd, Mariglen Disha.
Bashkia e Librazhdit njihet për potencialin e saj sa i takon turizmit malor. Ndonëse vite më parë turistët e kanë pasur të vështirë eksplorimin e këtyre krahinave, tashmë ata mund të udhëtojnë lehtësisht përmes peizazheve qe janë një ftesë për t’u vizituar.