Udhëtim në Rashtan! Kush është fshati i qarkut Elbasan ku iliret prodhonin monedhat e floririt. Kërkimet ilegale sot

0

Rashtani është fshat i Përrenjasit. Ndodhet 3 km në krahun e djathtë të rrugës Qafë Thanë-Tiranë. Është një vendbanim shumë i lashtë me asete dhe histori që të tërheqin për të shkuar në zemër të fshatit.

“Pas studimeve të bëra në 1975 është një fshat i lashtë që në kohën e Neolitit. Janë gjetur shumë monumente të asaj kohe disa gjenden në muzeun arkeologjik në Tiranë dhe në muzeun e Elbasanit. Zbulimet i kanë bërë profesorët Ilir Gjepali dhe Neritan Ceka në atë kohë. 3 monumente kulture janë shpellat, një kishë që daton në vitet 1500 është një monument që quhet Guri i furrës që e kanë shfrytëzuar Ilirët e Selcës për të derdhur monedhë,” tregon një banor i Rashtanit.

Pasi dëgjuam me vëmendje këtë banor na u shtua kureshtja për të vizituar këto monumente. Një tjetër na shoqëroi drejt Gurrit të Furrës historia e të cilit tërheq shumë turistë.

“Ky guri këtu sipas legjendës ishte vendi ku vendosej materiali për tu futur në furrë. Këtu shkriheshin florinjtë. Kjo ka qenë tavolina, këtu ka qenë vendi i zjarrit dhe floriri derdhej në këtë kanalin që është origjinal deri poshtë,” na rrëfen një tjetër banor.

Banorët tregojnë se florinj janë gjetur dhe në kohët e sotme.

“Ka patur njerëz këtu kërkues floriri dhe kanë gjetur. Tek godina e vogël dhe kur lëshuan blegtorinë gjetën një gropë të hapur”, tregon ky djalë.

“Gërmonin me aparate të ndryshme këtu dhe atje matanë që është një arrë, kërkojnë flori”, tha kjo adoleshente.

Në këtë fshat ka dhe shpella.

“3 shpella janë këto dy dhe një poshtë. Ajo poshtë ka pasur dhe mur,” na bën të ditur një prej banorëve.

Ne vizituam një prej shpellave në të cilën dikur jetonin dhe njerëz. Përhumbëm në kohë.

Ky fshat kaq i bukur dhe me vende që ke qejf ti vizitosh ka problematika të ndryshme.

Banorët që jetojnë këtu tregojnë se rrugët kanë disa dekada që nuk rikonstruktohen dhe ato brenda fshatit s’janë të asfaltuara.

“Që nga vitet 90. Premtojnë dhe asnjë lehtësim. 4 km e gjysëm. Fshatarët i pengon të shesin produktet”, ankohet një banor i Rashtanit.

Po kjo nuk është e vetmja problematikë.

“Ka nevojë për ujë të pijshëm ujë për blegtorinë. Ky fshat ka mbetur prapa shumë,” tha një banor.

“Më parë ka patur ujë për vaditje. Pushteti lokal duhet të verë pak dorë,” thekson një tjetër banor.

Nëse këtu investohet ky banor parashikon se në Rashtanin do ketë më shumë lëvizje pasi kanë shfaqur interes shumë qytetarë nga zonat të tjera të vendit për të ndërtuar banesa.

“Nëse do asfaltohet rruga, kam miq nga Elbasani dhe Tirana, që më thonë do vijmë të investojnë dhe të ndërtojnë shtëpi,” sqaron ai.

Kryetari i Bashkisë Përrenjas, Nuri Belba jep lajme të mira për banorët e dëshpëruar nga mungesa e ujit.

“Jemi në pritje për financimin e ujësjellësit. Se ky është një problem 20 vjeçar. Në planet e bashkisë për vitin 2021 do të futim në plan asfaltimin e rrugës së Rashtanit ,” theksoi Belba.

Ky fshati si shumë të tjerë ka pak banorë për shkak të braktisjes dhe uljes së lindshmërisë. Po këtu ndodh dhe një fenomen i pazakontë.

“Ka shumë tokë bujqësore, një sipërfaqe prej 400 ha popullsia është 600 banorë dhe nuk e përballon dot këtë sipërfaqe. Ka shumë toka të papunuara. Në kohën e monizmit e ka mbajtur Rajca dhe ka patur shumë prodhim. Tani është arnuar dhe bujqësia dhe blegtoria”, tha një prej banorëve të Rashtanit.

Në këtë fshat ata që e kanë braktisur për një jetë më të mirë ju ka mbetur koka pas dhe hera herës kthehen pasi kanë kujtime të bukura.

“Kam realizuar disa piktura nga vendlindja ime. Kam rreth 30 vite që jam larguar, por nga viti 1997 që kur nisa të ushtroj artin e pejsazhit, pikturës së vajit kam bërë shumë piktura për vendlindjen time,” tha ky djalë.

Prej vitesh në memorie i ka mbetur pamje e një banese. Sot e ka memorizuar dhe në telajo:

“Kisha një kohë të gjatë që më tërhiqte vëmendjen kjo vilë në kodrat e Rashtanit dhe mendova ta realizoja këtë pikturë. Kjo pikturë do qëndrojë hijshëm në vilën e ndërtuar nga zoti Xhemal.”

Banorët e Rashtanit janë shumë mikpritës. Një prej zonjave na fton për të na qerasur me një pije që quhet pekmez dhe bëhet nga manat.

Ajo na tregon se përveç i shijshëm lëngu është dhe kurativ. Por për ta prodhuar është e mundimshme.

“Pastroj manat i zjej i kulloj tre herë dhe më pas i bëj lëng. I ziej 2 ditë me radhë,” tregon kjo amvisë.

Gjatë udhëtimit tonë takuam dhe disa turistë. Ata ndaj me ne përshtypjet e tyre për vizitën në Rashtan.

“Pamja kodrat natyra çdo gjë. Do vij me njerëzit e mi ta vizitoj. Ka çdo gjë që i nevojitet një njeriu për të kaluar bukur një fundjavë,” tha një turist.

“Jam nga Tirana është hera e disatë që vij në Rashtan, më duket si një Toskanë e dytë. Është një vend me vendbanime të lashta ilire,” tregon një adoleshent./abcnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu