Varrezat e Elbasanit plot bar e mbeturina, ja çfarë thotë Bashkia Elbasan

0
Screenshot

Pamja e lënë pas dore e varrezave publike të Elbasanit mbërriti deri në tryezën e diskutimeve mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakëve në Durrës.

Kreu i qeverisë kritikoi hapur kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, duke e quajtur të papranueshme që ai të mos jetë i informuar për problematikat e qytetit që drejton.

Në një vëzhgim të kryer në varrezat publike të Elbasanit, konstatohen problematika të shumta: barishte të larta, mbeturina të shpërndara dhe mungesë mirëmbajtjeje.

Screenshot

Prej kohësh, qytetarët kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e mjerueshme të varrezave, të cilat, sipas tyre, janë lënë në harresë. Shprehen se, përveç pamjes së pakëndshme, problem serioz paraqet edhe rreziku nga insektet dhe gjarpërinjtë teksa vizitojnë të afërmit e tyre.

Në reagimin e tij, drejtori i Mirëmbajtjes së Territorit pranë Bashkisë Elbasan, Shefqet Arapi, pranon se Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka ndërhyrë disa herë për pastrimin e varrezave. Por sipas tij, sipërfaqja e madhe e territorit e bëjnë të vështirë mirëmbajtjen e vazhdueshme.

Situata është përkeqësuar edhe më tej vetëm një javë më parë, kur një pjesë e varrezave u përfshi nga flakët. Ngjarja shkaktoi indinjatë dhe zemërim tek familjarët, ndërsa policia njoftoi se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një person me probleme të shëndetit mendor.

Megjithatë, kryeministri Rama theksoi se nëse bari do të ishte i kositur në kohë, zjarri nuk do të kishte marrë përmasat që tronditën qytetarët./Infoweb Media