Vendimi i Këshillit të Ministrave/ Punonjësve të administratë u zgjaten oraret e punës

0

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është vendosur zgjatja e orëve të punës dhe të pushimet në instuticionet shtetërore.
Në vendim thuhet se për institucionet e administratës shtetërore, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00. Instuticionet e pavarura dhe ato të vetëqeverisjes vendore do të vazhdojnë të përcaktojnë vetë orarin ditor të punës.
Në mungesë të pranisë së kryeministit Rama ky vendim është nënshkruar nga zëvendës kryeministri, Erjon Braçe
Vendimi
Disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.511, datë 24.10.2002, të këshillit të ministrave, “për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V e n d o s i:
Në vendimin nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”
2. Në kreun I bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, fjalët “… publike të nivelit qendror, si dhe në institucionet e tjera shtetërore” zëvendësohen me “… shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Për institucionet e administratës shtetërore, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00. Institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore e përcaktojnë vetë orarin ditor të punës.”.
c) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Për institucionet e administratës shtetërore, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të Kryeministrit, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj.”.
Në kreun III shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“4. Gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID–19:
a) Institucionet e përcaktuara në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distancë on-line), me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet nëpunësve/punonjësve, të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar në sipërfaqen e institucionit;
b) Për realizimin e detyrimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, institucionet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve/punonjësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm/titullari i institucionit;
c) Në përcaktimin e nëpunësve/punonjësve që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës, institucionet duhet të bazohen në:
vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë nëpunësit/punonjësit;
ii. evidentimin e rasteve të nëpunësve/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19;
iii. evidentimin e nëpunësve/punonjësve që kanë në kujdestari ligjore fëmijë deri në moshën 14-vjeç.
Për rastet e parashikuara në nënndarjet “ii” dhe “iii”, të kësaj shkronje, përpara miratimit të grafikut, institucionet duhet të konsultohen me nëpunësit/punonjësit, me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave.
ç) Puna nëpërmjet telepunës ka të njëjtën kohëzgjatje kohore si edhe puna në ambientet e punës së institucionit.
Për periudhën e kohëzgjatjes së vitit shkollor 2020–2021, orari i punës për nëpunësit/punonjësit e përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, që janë prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, për ditët kur ata duhet të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit sipas grafikut të miratuar, përcaktohet nga titullari i institucionit. Orari i punës për këta nëpunës/punonjës gjatë kësaj periudhe, përcaktohet në varësi të orarit që fëmija/fëmijët e tyre do të frekuentojnë mësimin.
Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore dhe secili institucion i pavarur e njësi e vetëqeverisjes vendore për institucionin e tyre që, brenda 10 (dhjetë) ditësh nga miratimi i këtij vendimi, të miratojnë rregullat dhe procedurat standarde të punës të harmonizuara, në përputhje me përcaktimet e pikave 4 dhe 5, të këtij kreu, dhe udhëzimet e dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik.”.
Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu