Vetëvrasje në rrethana të mistershmë/ E motra:”Njohu një djalë në rrjetet sociale.”

0

Vetëvrasja e 33-vjeçares nga Tirana vazhdon të jetë e rrethuar nga një sërë dyshimesh, pasi ngjarja është fshehur nga familjarët.
Rrëfimi i motrës nën hetim
XH. L., motra e 33-vjeçares së vetëvrarë, ka folur me agjentët e policisë për atë çka ka ndodhur. Pyetja e parë ishte se “përse ajo e fshehu pistoletën me të cilën u vra e motra, si dhe gëzhojën e gjetur në dysheme”. Ka dyshime të forta se thyerja shpirtërore e Marsidës ka ndodhur nga zhgënjimi i shkaktuar pas takimit me një mashkull, të cilin ajo e kishte njohur dhe prej muajsh kishte komunikuar virtualisht në rrjetet sociale. XH. L. pohon se e motra kishte marrëdhënie shumë të mira me familjen. Kishte një jetë të rregullt, të programuar mes familjes dhe ndjekjes së kurseve private për estetikë. 33-vjeçarja e theu rutinën në datën 24 tetor, pasi ndihej e tërhequr nga një person, me të cilin komunikonte në rrjetet sociale. “Motra në orët e para të mëngjesit të datës 24 tetor u nis për në Gjirokastër, për të takuar një shok të sajin, me të cilin prej tre muajsh fliste nëpërmjet rrjeteve sociale. Ky person i kishte thënë, me sa kam dijeni, se qëndronte në Amerikë. Duke qenë se ky person kishte ardhur nga Amerika, Marsida shkoi për ta takuar, sepse kështu e kishin lënë përmes rrjeteve sociale. Unë nuk e di numrin e telefonit të këtij djali që do të takonte motra, por di që ishte prezantuar si T.B. Në orët e drekës të kësaj date bisedova me Marsidën dhe më tregoi se kishte takuar T. dhe se ishte ulur në një lokal dhe po pinte kafe me të. Më tregoi se për momentin T. ishte larguar për disa punë të tijat dhe nuk më shprehu asnjë shqetësim. Në mbrëmje Marsida më mori në telefon dhe më tha: ‘Unë nuk do kthehem sonte në Tiranë. Mamit thuaji se do të shkoj te vajza e hallës’, sepse mami nuk kishte dijeni që Marsida kishte shkuar në Gjirokastër. Marsida ka fjetur në hotel në Gjirokastër, siç më tha vetë ajo. Më vonë Marsida më tha që nuk veproi mirë që udhëtoi drejt Gjirokastrës për të takuar atë djalin dhe nuk e zgjatëm më tej bisedën”
Dita e ngjarjes
Sipas së motrës, të nesërmen (pikërisht ditën kur 33- vjeçarja u kthye në shtëpi dhe u vetëvra) të dyja motrat kanë biseduar sërish në telefon. “Më mori në telefon rreth orës 10 të mëngjesit, më tha që po udhëtonte për në Tiranë. Në orën 15:18 i shkrova: ‘Ku je, a ke mbërritur?’, por ajo nuk më ktheu përgjigje. Në orën 17:00 së bashku me time bijë shkova në supermarket për të bërë pazar. Më merr mami në telefon. Ajo bërtiste dhe qante dhe thoshte: ‘Çfarë i ke bërë vetes, moj mam?’. Duke qenë se mami nuk më tregoi asgjë se çfarë kishte ndodhur, u nisa për në shtëpi”, ka treguar motra e viktimës. Kur Xh. L. ka mbërritur në banesën e prindërve, sipas Policisë, ajo ka konstatuar njerëz të shqetësuar aty. Ka hyrë në dhomën e së motrës. “Në dhomën ku Marsida fle konstatova se ajo ishte shtrirë, e mbuluar me mbulesë. E preka në pjesën e fytyrës, i mata pulsin në qafë, por nuk kishte puls. Dola në oborr dhe pashë xhaxhain dhe nusen e xhaxhait. Ju thashë se Marsida ka ndërruar jetë. Kur u ktheva pashë pistoletën, që e futa në një qese dhe e nxora te plehrat. Kur erdhi ambulanca unë nuk i tregova askujt që kisha gjetur një pistoletë, u futa prapë në dhomën ku kishte gjetur vdekjen motra dhe konstatova pranë komosë një gëzhojë, të cilën e mora, dola jashtë dhe e çova aty ku kisha fshehur pistoletën”, shprehet Xh. L. për Policinë. Më pas e motra e viktimës vuri në dijeni bashkëshortin për armën që më pas e fshehën sërish në pjesën e pasme të banesës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu