Elbasani përjetoi një nga ngjarjet më të bukura artistike të kohëve të fundit, teksa u mbyll me sukses maratona 3-ditore e koncertit “Moderne me taban”, një projekt që solli në skenë shpirtin tradicional të ndërthurur me ritmet moderne, në një harmoni të rrallë dhe plot emocion.
Mbrëmjet koreografike u realizuan nga trupa Art Revolution Dance, nën drejtimin e dy profesoreve Elton Alla, Mariglen Rama si dhe mesueset Rodeta Pllumbi dhe Denisa Rama, të cilët sollën në skenë një koncept artistik të kuruar në detaj.
Një element i veçantë i këtij koncerti ishte performanca live, me orkestrën e drejtuar nga profesor Ilir Sokoli, që i dha edhe më shumë gjallëri dhe autenticitet gjithë spektaklit.
Për tri mbrëmje radhazi, salla e mbushur plot dëshmoi qartë se arti i vërtetë gjen gjithmonë rrugën drejt publikut. Me një energji të jashtëzakonshme dhe një përkushtim që ndihej në çdo detaj, mbi 250 artistë të të gjitha moshave, nga 5 deri në 75 vjeç, u bënë bashkë për të sjellë një spektakël të gjallë, dinamik dhe autentik.

Koncerti erdhi si një mozaik i pasur artistik, ku kënga dhe vallja popullore u ndërthurën natyrshëm me muzikënl moderne të zhanreve të ndryshme. Në skenë u ngjitën edhe të ftuar specialë si Demir Zena, Sergita Varfi, Noel Hoxholli dhe Franceska Kasa, të cilët i shtuan më shumë ngjyra dhe emocion kësaj mbrëmjeje artistike.
Organizimi në tre net erdhi si nevojë për t’i dhënë hapësirë numrit të madh të fëmijëve pjesëmarrës, të cilët performuan nga tabani popullor te muzikal moderne, duke krijuar një urë të bukur mes brezave.
Një nga risitë më të spikatura ishte pjesëmarrja e një grupi zonjash, të cilat performuan me elegancë dhe pasion për tri net radhazi, duke u kthyer në një nga momentet më të duartrokitura të spektaklit.
“Moderne me taban” la pas një mesazh të fortë: kur arti bëhet me zemër, publiku e mbështet dhe e mbush sallën plot.





