VIDEO/Muza e shpirtit të lirë”, koncert që nderon gratë dhe suksesin e tyre

0

 

Në Teatrin “Skampa” në Elbasan u mbajt koncerti “Muza e shpirtit të lirë”, një performancë artistike e realizuar nga trioja e përbërë nga pianistja Ardita Bufaj, flautistja Matilda Bajrami dhe oboistja Xhovana Marku, nën drejtimin artistik të Blerim Narazanit.

Për rreth një orë, në skenë u interpretuan vepra të njohura të autorëve vendas dhe të huaj, të ekzekutuara me mjeshtëri dhe të duartrokitura gjatë nga publiku që kishte mbushur sallën e teatrit.

Pas shfaqes instrumentistet u shprehën se koncerti mbarte një mesazh vlerësimi për forcën, talentin dhe shpirtin e lirë të grave në fusha të ndryshme profesionale, duke e kthyer artin në një formë reflektimi dhe frymëzimi.

Koncerti ishte konceptuar si një homazh për gratë që kanë arritur sukses në profesione shpesh të vështira, duke kthyer sfidat në arritje. Në këtë kuadër u sollën si shembuj suksesi figura si Natasha Porocani, pedagoge dhe kontribuuese në gjuhën shqipe, Emanuela Rusta, arbitre ndërkombëtare e FIFA-s që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, si dhe Hamide Blaceri, e cila ushtron profesionin e saldatorës prej vitesh.