Vranë të dashurin e nënës, gjykata e Tiranës pranon kërkesën e prokurorisë, vëllezërit Shera bashkëfajtorë në krim

0

Vëllezërit Sajmir dhe Arsil Shera do të ulen krah njëri-tjetrit si të bashkëpandehur në Gjykatën e Tiranës. Ata do të përballen me akuzën e ‘vrasjes me paramendim’ të një taksisti 71-vjeçar, pas dyshimeve se ishte në një raport intim me nënën e tyre.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të vëllezërve 33 dhe 21 vjeç, duke e konsideruar të plotë hetimin e rastit, shkruan A2.

Vrasja e 71-vjeçarit, Abdulla Budlla, ndodhi në gusht të vitit 2020 në zonën e Fushë-Prezës në aksin Vorë-Fushë Krujë. Taksisti u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa ndodhej në mjetin e tij të ndaluar pranë kryqëzimit të Rinasit.

Vëllezërit Shera ishin të dyshuarit e parë të Prokurorisë për shkak të një konflikti të mëhershëm mes tyre dhe taksistit. Dyshimet u përforcuan edhe pas zbulimit të komunikimeve të gjata telefonike mes viktimës dhe nënës së dy të dyshuarve.

Sipas prokurorisë, motiv i krimit ka qenë dyshimi i dy vëllezërve për një raport mes nënës së tyre dhe taksistit, ndërsa kanë pasur dyshime se ai po u ngacmonte edhe motrën.

Gjatë hetimit, Sajmir Shera ka pranuar krimin, por ka përjashtuar vëllain e tij. Në deklarimet e dhëna ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes i vëllai nuk kishte dijeni se ai kishte një armë me vete dhe se do të qëllonte me të drejtë taksistin. Në gjykatën e Tiranës, dosja ndaj tyre do të shqyrtohet nga gjyqtari Kujtim Vraniçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu