Elbasani nuk gjen qetësi. Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar sot në orët e para të mëngjesit në një rrugë në lagjen “Vullnetari”.
Një shtetas ende i paidentifikuar është gjetur i vdekur në nje shesh para një pallati në anë të rrugës. Shtetasi i moshës 70-80-vjeç është gjetur nga shërbimet e policisë rreth orës 04:30 të mëngjesit.
Policia ka konstatuar se ai ishte i pajetë dhe më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertët dhe një grup hetimor.
Nga verifikimet e para të viktimës është konstatuar se ai kishte plagë të thella në pjesën e pasme të kokës, ishte pa këpucë dhe kishte prerje në të dy duart.
Ende mbeten mister shkaqet e kësaj ngjarje. Dy janë pistat kryesore të hetimit. Ajo e vrasjes, nisur nga shenjat e konstatuara, dhe pista e vetvrasjes.
Policia ka marrë në pyetje disa persona dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Elbasan/ Informacion paraprak
Në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, shërbimet e policisë kanë konstatuar në anë të rrugës pa shenja jete një shtetas të seksit mashkull rreth moshës 70-80 vjeç.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personit të pajetë dhe shkakun e humbjes së jetës.