Në kuadër të Javës së Kulturës së Azerbajxhanit, zëvendësministri i Kulturës së Republikës së Azerbajxhanit z. Farid Jafarov, së bashku me Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, z. Anar Huseynov, u mirëprit më datë 31 gusht 2023, nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, z. Piro Misha.
Z. Farid Jafarov i shprehu mirënjohjen drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, për frymën e bashkëpunimit me homologun e tij, Z. Karim Tahirov, të cilët kanë nënshkruar në tetor 2022 në Baku “Memorandumin e Bashkëpunimit” ndërmjet dy institucioneve në fushën e librit dhe të bibliotekave.
Gjatë takimit, u diskutua rreth veprimtarive të mundshme kulturore që mund të organizohen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, si; ekspozita, takime me shkrimtarë bashkëkohorë azerbajxhanas, tema të ndryshme nga studiues apo akademikë mbi kulturën dhe traditën azerbajxhanase, shkëmbimin e përvojave mes specialistëve, për zbatimin e të cilave, Z. Jafarov shprehu mbështetjen e plotë.
Në emër të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Azerbajxhanit, Bibliotekës Kombëtare iu dhuruan disa botime, të cilat u ekspozuan në hollin kryesor të saj.