Siguria rrugore/Takim sensibilizues në qytezën turistike të Belshit

0

 

Siguria rrugore mbretet  një ndër prioritetet kryesore në vend.

Ditën e sotme në qytezën turistike të Belshit u zhvillua një takim sensibilizues për parandalimin e aksidenteve rrugore.Në takim morën pjesë shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, shefi i Stacionit të Policisë Belsh, nënkryetari i Bashkisë, administratorët e njësive administrative, kryepleqtë e fshatrave, punonjës të institucioneve, punonjës policie, si edhe banorë të zonës.Ky takim u zhvillua në kuadër të sensibilizimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe pajisjen me dokumentacionin përkatës, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Një nga problemet që haset në këto zona është qarkullimi i drejtuesve të motomjeteve, pa lejen përkatëse të drejtimit, pa dokumentacionin e duhur për të qarkulluar dhe pa kaskën mbrojtëse.

Gjithashtu, një tjetër problematikë që haset është edhe qarkullimi i mjeteve bujqësore dhe i atyre që tërhiqen me kafshë, pa plotësuar elementet teknike të qarkullimit në rrugë, duke u bërë kështu rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor, Kryekomisar Valentin Florini vuri theksin në koordinimin e punës së përbashkët të Sektorit të Qarkullimit dhe strukturave të Bashkisë, për t’i dhënë fund këtij fenomeni.

Të gjitha strukturat do të fillojnë menjëherë punën për konstatimin, këshillimin e më pas ndëshkimin sipas ligjit, të të gjithë atyre që nuk do të pajisen me dokumentacionin e duhur, elementet e sigurisë dhe nuk do të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që përdorin motoçikleta, që të pajisin mjetet e tyre me dokumentacionin e duhur, të pajisen me elementet e sigurisë, si kaska mbrojtëse, elementet ndriçues e sinjalizues.

Nuk do të tolerohen më të gjithë ata që do të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe do të vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.

Siguria rrugore është kontribut i të gjithëve, ndaj sensiblizojmë dhe ftojmë të gjithë përdoruesit e rrugës që të kontribuojnë për sigurinë e jetës duke zbatuar me korrektësi rregullat e qarkullimit rrugor.

Takimet do vijojnë në ditët në vazhdim në çdo njësi, me qëllimin e vetëm sigurinë e jetës për të gjithë përdoruesit e rrugës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu