Zgjedhjet e 25 prillit/ Dita e sotme ‘pushtohet’ nga heshtja zgjedhore

0

Sot është heshtje zgjedhore ndërsa nesër në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Deri në orën e mbylljes së votimit,  nuk lejohet asnjë lloj fushate elektorale nëpërmjet medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i të tjera veprimtarive zgjedhore të partive apo kandidatëve. Në rast të shkeljes së rregullit, partitë politike, si dhe mediat i presin gjoba nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për gjobat nuk pezullon ekzekutimin e tyre.

Të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 588 mijë e 869 shtetas shqiptarë. 50.5% e tyre janë votues meshkuj, 49.5% femra. 107 mijë e 24 persona votojnë për herë të parë. Ndërkaq, 1 mijë e 98 shtetas janë të bllokuar si shkak apo si rrjedhojë e Ligjit të Dekriminalizimit. Numri total i qendrave të votimit është 5 mijë e 199 në rang vendi.

Partia Socialiste e kryeministrit Rama kërkon mandatin e tretë ndërsa opozita, rikthimin në pushtet. Partia Demokratike udhëheq koalicionin PD-Aleanca për Ndryshim e gjithashtu ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit paszgjedhor me LSI-në. Në garën zgjedhore janë përfshirë edhe parti si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, Bindja Demokratike e Astrit Patozit, si dhe subjekte të opozitarëve që kanë krijuar forca të reja politike. Në ndryshim nga proceset e kaluara, krahas partisë, tashmë votuesi do të zgjedhë edhe kandidatin që preferon.

Heshtja zgjedhore pason fushatën një-mujore që u mbyll dje e ka patur pika të forta ndërsa tre ditë më parë u përgjak nga ngjarja e Elbasanit, me një të vrarë e 4 të plagosur, 10 të arrestuar e një të shpallur në kërkim. Ajo që ndodhi më 21 prill u cilësua “krim politik elektoral”.

Nga dje, institucionet e rëndësisë së veçantë, mes tyre godinat qeveritare e selitë e ambasadave janë marrë në mbrojtje nga Forcat e Armatosura. Në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, më shumë se 200 punonjës policie që ruajnë objektet e rëndësisë së veçantë angazhohen për procesin zgjedhor ndaj duhet mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes. Ushtria do të jetë e pranishëm deri më 27 prill kur rikthehen efektivët e policisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu