Rreth 100 hektarë pyll me pisha, që vishnin dikur shpatet shkëmbore direkt mbi qytezë, u dogjën në një seri zjarresh që filluan në vitin 2015 dhe vijuan në vitet 2016, 2019 dhe 2021 dhe që kanë lënë pas një kodër të zhveshur me gur gëlqeror.
Në dhjetor të vitit 2021, një masiv shkëmbor u shkëput nga mali i Shëngjinit dhe ra mbi një banesë poshtë tij, duke e ndarë shtëpinë përgjysmë. Fatmirësisht, pjesëtarët e familjes nuk ndodheshin në shtëpi në atë moment.
“Fati ka qenë me, pasi po të kishim qenë aty sot nuk do ishim gjallë. Guri disa tonësh që ka ra na ka copëtuar shtëpinë, duke e bërë të pabanueshme,”-thotë Liza Loci, e zonja e shtëpisë së dëmtuar në lagjen e qytetit të vendosur rrëzë malit.
Loci e di se gurët nuk po bien nga hiçi. Ajo i tha BIRN se gurët filluan të rrokulliseshin pas djegieve të herëpashershme të pyllit.
“Ky fenomen është shfaqur pas zhveshjes së malit nga bimësia si shkak i zjarreve të përvitshme,” tha ajo.
Kurora e gjelbër në Malin e Shëngjinit siguronte mbrojtje edhe për shtëpitë poshtë saj, por ajo nuk ekziston më prej 3 vjetësh. Rreth 100 hektarë pyll me pisha, që vishnin dikur shpatet shkëmbore direkt mbi qytezë, u dogjën në një seri zjarresh që filluan në vitin 2015 dhe vijuan në vitet 2016, 2019 dhe 2021 dhe që kanë lënë pas një kodër të zhveshur me gur gëlqeror.
Të dhënat e siguruara nga zyra lokale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit tregojnë se zjarret bënë dëme masive në të gjitha pyjet e qarkut në dy vitet e fundit. Sipas IKMT, në vitet 2020 nga rreth 106 mijë hektarë pyje që ka qarku Lezhë, u përshkuan nga zjarri mbi 3800 hektarë pyje, 3.5 për qind e sipërfaqes totale. Nga këto, mbi 1 mijë hektarë u dogjën plotësisht.
Sharra dhe sopata shkaktoi gjithashtu dëme të parikuperueshme sipas IKMT-së. Inspektorati llogariti mbi 1 mijë metër kub dru të prerë në mënyrë të paligjshme në Qarkun e Lezhës, kryesisht në zonën e Mirditës.
Shqipëria ka miratuar një moratorium për të mbrojtur pyjet, por të dhënat e mara nga BIRN në disa qarqe tregojnë se efektet e tij janë të diskutueshme. Ndërsa dëmi në pyje dhe pasojat janë të dukshme, masat ndaj shkelësve dhe masat për të rikuperuar pyjet e shkatërruara nga zjarri janë minimale.
Zjarrvëniet e njëpasnjëshme në Malin e Shëngjinit ishin sipas policisë të qëllimshme dhe dy persona u arrestuan në vitin 2019. Megjithatë, në Gjykatën e Lezhës nuk u dërgua asnjë çështje për këtë rast.
Ndërkohë, 4 çështje të gjykuara me akuzat e zjarrvënies nga pakujdesia në disa fshatra të Mirditës, janë pushuar pa pasoja për autorët. Edhe rastet e ndëshkuara për prerje të pyjeve janë minimale krahasur me sasitë e prera të llogaritura nga IKMT. Bazuar në vendimet e marra nga Gjykata e Lezhës, në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, BIRN llogariti se në vitet 2020 dhe 2021 ishin gjetur fajtorë dhe dënuar vetëm prerësit e më pak se 20 metër kub lënde drusore, ose 0.02 për qind e zonës së dëmtuar.
Pjesa më e madhe e dënimeve janë gjoba deri në 20 mijë lekë ose burg i konvertuar në dënim me kusht.
Banorët e Shëngjinit e qajnë humbjen e pyllit që u dogj nga zjarret e njëpasnjëshme.
“Deri në vitin 2014 këtu ka qenë një masiv pyjor i jashtëzakonshëm. Kishte pisha dhe bimësi të ndryshme, duke i dhënë frymëmarrje qytetit turistik. Mirëpo për 5 vite me radhë ka patur zjarre çdo sezon veror dhe siç e shikoni është shkatërruar gjithçka. Është shumë e dhimbshme kur e shikon në këtë gjendje,”-thotë Bektash Keta, banor i Shëngjinit.
Përveç imazhit, pasojat e zhveshjes së malit të Shëngjinit kanë qenë të menjëhershme edhe sa i përket rrezikut për jetën e banorëve poshtë tij. Në vitin 2018, një masiv shkëmbor u shkëput nga mali pranë zonës së Knalles në Shëngjin dhe goditi një autobus me pasagjerë, duke plagosur dy vajza të reja.
Dy vjet më vonë, gurët goditën banesën e familjes Loci. Gruaja i tha BIRN se në shpatin e malit poshtë të cilit jeton, ka parë edhe gurë të tjerë që kanë lëvizur dhe që mund të bien pas shirave.
“Jetesa në këtë zonë rrëzë malit është tani një kërcënim i vërtetë për jetën,”-tha Loci.
Por ndërsa rreziku nga erozioni është i dukshëm, eksperti i Mjedisit, Jak Gjini thotë se dëmtimi i pyjeve në tërësi ka sjellë pasoja për të gjithë vendin.
“Dëmtimi që iu është bërë pyjeve po sjell pasoja dhe në zonat fushore. Mungesa e bimësisë në male bën që kur ka reshje shiu, ujërat të vërshojnë në mënyrë të menjëhershme, duke sjellë përmbytje dhe shkatërrime në zonat fushore. Është një fenomen që është shfaqur shumë frikshëm gjatë viteve të fundit,”-thotë Gjini.
Bashkia e Lezhës, që ka në menaxhim pyjet e zonës përfshi Malin e Shëngjinit, i tha BIRN se ishte duke bërë përpjekje për të rikuperuar pyllin e humbur. “Krahas ruajtjes së pyjeve ekzistuese me shtim të kontrolleve, kemi hartuar dhe një plan pune për gjenerimin e sipërfaqeve pyjore të dëmtuara,” tha Artan Palushi, përgjegjës i Sektorit të Pyjeve në Bashkinë Lezhë.
Por efektet e kësaj ndërhyrje do duan vite të duken. Palushi thotë se nga 100 hektarë të djegur në Malin e Shëngjinit, vitin e fundit u mbollën me farë pishe 3 hektarë, ndërsa në disa zona të tjera janë mbjellë 4 hektarë me fidanë.
Për specialistin e Pyjeve, Zef Imeraj, këto masa janë të pamjaftueshme. “Të gjithë pyjet e shkatërruara është e mundur që me administrim nga bashkitë dhe të vendosin rregull e partneritet me komunitetin. Specialistët në bashkëpunim me komunitetin të vendosin një rregull strikt. Pas disa vitesh, pyjet mund të rikrijohen, por nuk bëhen siç kanë qenë më parë”, tha Imeraj.
Imeraj thekson se situata është përkeqësuar nga keqmenaxhimin që iu është bërë pyjeve, pasi strukturat që merren me këtë sektor nuk kanë funksionuar.
“Puna e mirë e bërë në vite ka pësuar dëme të jashtëzakonshme nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i pyjeve,”-përfundoi ai.