18 akuza torture, arrestohet doktori sirian në Gjermani

0

Mbi doktorin Alla Mousa rëndojnë 18 akuza torture në spitalet ushtarake në Homs e Damask.

Një doktor sirian është akuzuar për krime kundër njerëzimit, në formë torturash e vrasjesh në spitalet ushtarake të atdheut të tij, thanë dje prokurorët gjermanë.

Prokurori federal i Karlsruhe tha në një deklaratë se Alla Mousa, i cili ka ardhur si refugjat në Gjermani në 2015 dhe ka praktikuar profesionin e mjekut, është arrestuar në fund të vitit të kaluar për të paktën 18 raste torture ne Siri, mes të cilave vrasje dhe kastrime njerëzish.

Në padinë federale ndaj tij ai akuzohet për vrasje, lëndime të rënda trupore dhe lëndime të rrezikshme trupore.

Prokurorët thonin se pas nisjes së kryengritjeve kundër presidentit Bashar Al Assad në vitin 2011, protestuesit arrestoheshin shpesh dhe torturoheshin. Civilë të plagosur që besohej se ishin anëtarë të opozitës, dërgoheshin në spitale ushtarake, ku torturoheshin ose vriteshin.

Një shkurt një gjykatë gjermane dënoi një tjetër ish-anëtar të policisë sekrete të Bashar Al Assad, në një vendim të rëndësishëm që caktoi precedentin e parë për raste të ngjashme të konfliktit 10-vjeçar.

Polici Eyad Al-Gharib u dënua si aksesor për krime kundër njerëzimit nga gjykata gjermane e Koblenz.

Në rastin në fjalë, prokurorët akuzojnë se në një prej rasteve, doktori kishte hedhur alkool në organet gjenitale të një burri dhe një adoleshenti, e më pas kishte vënë flakën me çakmak në spitalin ushtarak Nr. 608 në Homs. Ai akuzohet për torturimin e nëntë njerëzve të tjerë në të njëjtin spital në 2011 me rrahje barbare.

Padia thotë se i akuzuari Mousa kishte rrahur një të burgosur gjatë një krize epileptike. Disa ditë më vonë i kishte dhënë atij një mjekim nga i cili kishte gjetur vdekjen.

Në një tjetër rast në 2012, Mousa akuzohet për rrahje të rëndë ndaj një të burgosuri. Kur ai kishte reaguar duke goditur me shkelm, Mousa e rrahu bashkë me një infermier dhe më pas i injektoi një substancë toksike që dyshohet se e vrau të burgosurin.

Përveç spitalit të Homs, Mousa akuzohet për akte të ngjashme në spitalin Mezzeh Nr. 601 në Damask.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu