8 të arrestuar për vrasjen e Armando Beqirit

0

Shkon në 8 numri i personave të arrestuar për vrasjen e shqiptarit Armando Beqiri në Islandë. Mediat në Reikjavik shkruajnë se mbrëmjen e djeshme janë prangosur 4 persona të tjerë, përpos 3 që u kapën të dielën dhe njërit që ishte në paraburgim, që dyshohet se ka lidhje me ngjarjen. Katër personat u arrestuan në kryeqytetin islandez.

“Policia ka arrestuar katër persona të tjerë në lidhje me hetimin për vrasjen në fundjavën e kaluar. Nuk është e mundur të jepen informacione të mëtejshme për çështjen në këtë moment” deklaron policia. Ndërkohë që njëri nga tre burrat e arrestuar të dielën ka apeluar arrestimin. “Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen” ka deklaruar ai.

Margeir Sveinsson, ndihmës shefi i policisë në Reikjavik gjatë një prononcimi për mediat në Islandë u shpreh “Ne kemi sekuestruar sende të ndryshme por unë nuk komentoj se cilat janë ato. Ne kemi biseduar me palë të ndryshme, si dëshmitarë dhe të tjerë, por unë nuk mund të jap më shumë informacion” tha ai.

Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në hyrje të shtëpisë. Ai ishte një nga pronarët e një kompanie sigurie private, ndërsa la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të mitur.

Shqiptari që kishte disa vite në Islandë, sipas medieve bazuar te informacionet nga policia nuk kishte konflikte, ndërsa njëri nga të arrestuarit për ngjarjen është lituanez i njohur në Reikjavik për lidhje me botën e krimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu