COVID19 në Kosovë/ Qeveria merr masa të reja,kufizohet lëvizja dhe mbyllen lokalet

0

Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë të hënë masat e reja kufizuese anti-Covid. Kështu, do të ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve nga ora 22:00 deri në orën 05:00, me përjashtim të rasteve emergjente.

Në masat e reja parashikohet mbyllja e restoranteve nga data 7 deri me 18 prill, ndërkohë që lejohet të funksionojë shërbimi “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve thelbësore, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka vendosur gjithashtu që institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar të kalojnë online nga data 12 deri më 18 prill, ndërsa universitetet nga data 6 deri më 18 prill.

Po ashtu të gjithë qytetarët , gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë brenda 72 orëve, para hyrjes në Kosovë.

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona.