Amnistia Fiskale, Open Data kundër: Nuk garanton trajtimin e barabartë të tatimpaguesve dhe dëmton klimën e biznesit.

0

Në një takim të organizuar ditën e sotme, ata u shprehen kundër projektligjit pasi sipas tyre Amnistia nuk garanton trajtimin e barabartë të tatimpaguesve dhe dëmton klimën e biznesit si dhe favorizon subjektet e ekspozuara ndaj krimit dhe subjekte që kanë ekspozim politik.

Projektligji për Amnistinë Fiskale i propozuar nga qeveria ka hasur dhe në kundërshtinë e Open Data. Në një takim të organizuar ditën e sotme, ata u shprehen kundër projektligjit pasi sipas tyre Amnistia nuk garanton trajtimin e barabartë të tatimpaguesve dhe dëmton klimën e biznesit si dhe favorizon subjektet e ekspozuara ndaj krimit dhe subjekte që kanë ekspozim politik.

“Projektligji mbi amnistinë fiskale dhe penale në formatin që është hedhur për konsultim publik nuk duhet të shkojë për miratim për sa kohë shteti nuk është në gjendje të vendosë kontroll mbi informalitetin, korrupsionin dhe masave ndaj luftës për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit. Amnistia nuk garanton trajtimin e barabartë të tatimpaguesve dhe dëmton klimën e biznesit. Përkundrazi, ligji favorizon subjektet e ekspozuara ndaj krimit dhe subjekte që kanë ekspozim politik”, thuhet në konkluzionin e Open Data.

Në takim ishte i pranishëm dhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë i cili ka qenë kritik me projektligjin që në fillim. Ai tha se shqetësimet kryesore lidhen me mungesën e garancitë e ofruara që persona të inkriminuar nuk do përfshihen në amnistinë fiskale, rrezikun për pastrimin e parave dhe konkurrencën e pandershme, pasi niveli i taksave është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë.

“Une dua të shpjegoj shumë shkurt se ku qendrojmë ne, sepse mund të ketë pasur edhe ndonje keqkuptim.

Ne kemi pasur tre çështje kryesore. E kuptojmë që ligji mund të ketë një intencion pozitiv por nga ana tjetër, kemi identifikuar disa risqe. Në opinionin tonë, garancitë e ofruara që persona të inkriminuar nuk do përfshihen në amnistinë fiskale nuk kanë qenë të mjaftueshme. (Mendoj që ndërkohë po zhvillohet një debat i shëndetshëm mbi këtë me sens përmirësimi).

E dyta, e cila është një nga shqetësimet kryesore të anëtarëve, është rreziku që kjo amnisti mund të thellojë konkurencën e pandershme dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë pjesë. E lidhur me këtë është niveli i taksave, i cili është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë. Nëse do ishte një normë tatimi më të lartë, në një farë mënyre edhe për t’i penalizuar këto subjekte edhe fiskalisht, atëherë do të ishte një situatë tjetër.

E treta dhe shumë e rëndësishme është pozicionimi i Shqipërisë në lidhje me programet e monitorimit nderkombetar. Shqipëria është në procesin e Moneyval, ku tashme është në zonën gri të pastrimit të parave. Mendoj që është e rëndësishme të dalim një herë nga kjo listë. Ky ka qenë një shqetësim edhe nga FMN dhe Bashkimi Europian. Por nëse drafti i ri i adreson këto dhe garanci të mjaftueshme ofrohen nga partnerët ndërkombëarë atëherë dua të qartësoj që qendrimi i AmCham është gjithashtu i adaptueshëm. Ky pozicionim është i rëndësishëm për ne sepse është i lidhur drejtpërdrejtë me aftesinë për tërheqjen e investimeve të huaja.

Por dua të theksoj se AmCham është një nga grupet e interesit, ne vetëm rekomandojmë – me interesin për të përmirësuar ligjin. Ne nuk jemi vendim-marrës. Por mendoj se adresimi i këtyre çështjeve do ishte i shëndetshëm dhe nëse gjendet një zgjidhje do ishte pozitive për të gjithë”, tha Jaço.

Amnistia Fiskale është deklaruar nga qeveria si mundësia për të legalizuar paratë e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Pasi u refuzua dhe u kundërshtua publikisht herën e parë që u propozua, u rikthye edhe njëherë me Këshillimin Kombëtar. Sipas projektligjit që ëshët prezantuar deri më tani, shteti u jep mundësinë emigrantëve që të legalizojnë deri në dy milionë euro. Projektligji parashikon në mënyrë jo shumë bindëse se politikanët dhe familjarët e tyre të afërt nuk do të mund të përfitojnë, por në kushtet e “familjarëve të afërt” kanë vendosur kriterin e gjendjes civile “në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.” Shqipëria konsiderohet si një vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave dhe me mekanizma të dobëta ligjzbatuese për identifikimin, hetimin dhe sekuestrimin e parave të pista.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu