Autokracia e Putinit po bllokon ndryshimet politike dhe ekonomike në Rusi

0

 

Në dekadën e tretë të sundimit të presidentit Vladimir Putin, niveli i besimit midis Rusisë dhe qeverive perëndimore është zero. Perspektivat mbi reformat politike dhe modernizimin ekonomik në Rusi nuk janë shumë të mëdha. Dhe kjo është diçka shumë e keqe për mirëqenien e popullit rus.

Gjithashtu, ajo e dëmton tërheqjen e investimeve perëndimore. Mungesa totale e besimit në marrëdhëniet Perëndim-Rusi, e bën kohën tonë të ndryshme nga pjesa më e madhe e epokës sovjetike e viteve1917-1991. Pasi ajo mbart me vete rrezikun e gabimeve politike dhe strategjike që mund të çojnë në një konflikt.

Putini dëshiron ta shohë veten si një lojtar kryesor në “lojën e madhe” të gjeopolitikës globale. Por gjendja e ekonomisë dhe shoqërisë ruse nuk ia japin atij këtë mundësi. Për këtë arsye,ai pretendon të zërë vendin e tij në skenën globale,duke përdorur metoda tradicionale kriminale:duke luajtur kundër rregullave.

Udhëheqësve perëndimorë duket se u është sosur durimi me të. Administrata amerikane e Joe Biden, premton se tani e tutje lojëra të tilla do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë Kremlinit. Nga ana e tij, Putini është zotuar të tërheqë një “vijë të kuqe” në mbrojtje të interesave ruse, duke paralajmëruar se ata që e kalojnë atë “do të pendohen për atë që kanë bërë, në një mënyrë që nuk ka të krahasuar me gjërat e tjera”.

Nëse do të kishte një perspektivë të mirëfilltë të ndryshimit politik, çështjet mund të ishin të ndryshme. Por në gjendjen e tij aktuale, regjimi i Putinit nuk është gati për reformë. Ligjet e tij e përjashtojnë plotësisht mundësinë e ndryshimit të strukturave të pushtetit përmes zgjedhjeve.

A mund të presim një skenar revolucionar? Padyshim. Në rastin e vdekjes ose paaftësisë fizike të Putinit, autokracia personaliste e Rusisë nuk ka gjasa që t’i mbijetojë një rebelimi me pasoja dramatike.

Ai do të shkaktonte një sërë tensionesh të tjera të fshehta në shoqërinë ruse. Një mundësi tjetër, që nuk duhet përjashtuar tërësisht, është një krizë e fortë politike që vjen nga një humbje në një konflikt ushtarak. Nën Putinin, autoritetet kanë synuar me vetëdije të ringjallin reflekset perandorake të popullsisë ruse.

E kombinuar me propagandën e madhe shtetërore, edukimin shkollor, proceset gjyqësore politike dhe dhunën në shkallë të plotë, kjo qasje ka kontribuar në krijimin e një ndjenje të pafuqisë në shoqërinë ruse.

Njëherazi, autoritetet i mbajnë qëllimisht nivelet e të ardhurave brenda një diapazoni ku njerëzit janë të vetëdijshëm për varësinë totale të familjeve të tyre ndaj subvencioneve qeveritare. E gjitha kjo i ul normat e rritjes ekonomike në Rusi, por i shërben tek e fundit ruajtjes së statuskuosë politike.

Qëndrimet e publikut ndaj regjimit të Putinit, pasqyrojnë strukturën e shoqërisë ruse. Ndoshta gjysma e popullsisë nuk do ta dojë ta mbajë në pushtet Putinin për një mandat të pestë presidencial,kur të mbarojë mandati i tij aktual 6vjeçarnë vitin 2024.

Gjysma tjetër mendon se dënimi i paracaktuar për Alexei Navalny, udhëheqësin e opozitës që vuan në burg, është i merituar. Në mesin e gjysmës tjetër, shumë janë kritikë të sistemit, dhe shumë të tjerë nuk janë të gatshëm të mbajnë një qëndrim të hapur.

Shoqëria ruse është heterogjene. Rreth 25 për qind e njerëzve janë banorë të arsimuar të qyteteve të mëdha, ku kundërshtimi ndaj Putinit është më i fortë. Po aq, ndoshta më pak, jetojnë në “sulltanate elektorale”, apo territore ku liderët lokalë sundojnë si feudalë.

50 deri 60 përqindëshi i mbetur jeton në shoqërinë industriale të mesit të shekullit XX,në të ashtuquajturat “mono-qytete” dhe zona të tjera urbane të Rusisë qendrore, që kanë vetëm 2 ose 3 ndërmarrje të mëdha. Ndërkohë, popullsia e qyteteve të mëdha, ka ndryshuar shumë për shkak të fluksit të emigrantëve nga Azia Qendrore.

Për të gjitha këto arsye, nuk jam i sigurt se mund të presim ndryshime pozitive politike në Rusi, të nxitura nga presioni i publikut. Sa i përket ndryshimit të rëndësishëm ekonomik, kemi përballë disa pengesa. E para është investimi i brendshëm.

Jo vetëm që shumë shpenzime shtetërore janë joproduktive, por autoritetet mbajnë peng shumë investime thelbësore për modernizimin e ekonomisë. Përveç qëllimeve banale të vjedhjes dhe vetë-pasurimit, arsyetimi për këtë politikë është grumbullimi i rezervave dhe shmangia e varësisë nga vendet perëndimore.

Së dyti, sanksionet perëndimore, të vendosura si kundërpërgjigje ndaj veprimtarive ushtarake dhe spiunazhit të Vladimir Putinit jashtë vendit, e kufizojnë fluksin e investimeve dhe teknologjive në Rusi. Ato kufizojnë përfshirjen në ekonomitë profesionistëve dhe sipërmarrësve të niveleve të larta.

Kjo situatë nuk ka gjasa që të pësojë ndryshime rrënjësore, pasi askush nuk dëshiron që të forcojë një autokraci të prirur ndaj dhunës së jashtme. Së fundmi, ekziston çështja e institucioneve ruse dhe e sundimit të ligjit.

Shteti nën Putinin ka treguar vazhdimisht dorën e tij të ashpër ndaj pronës private dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Parlamenti i tij, gjykatat dhe institucionet e tjeranuk janë të pavarura. Sot,Rusia thjesht nuk është një vend i mirë për të investuar energjinë dhe kapitalin tuaj.

Skandale të rregullta shpërthejnë në formën e korrupsionit, pastrimit të parave, madje edhe krimeve të dhunshme – shpërthime, helmime, vrasje. “Dossier Center”që unë drejtoj do të paraqesë së shpejti një raport të ri mbi mekanizmat e paligjshëm përmes së cilave Kremlini ndikon në Evropën Perëndimore. Kjo punë do të vazhdojë.

Nga tani, që të gjithë duhet ta kuptojnë se Kremlini e sheh ekonominë si një mjet të politikës. Thënë thjesht, në Rusinë e Putinit mund të arrihet dhe ruhet suksesi ekonomik,vetëm duke rënë dakord të përfshiheni në korrupsion, ose duke u bërë një agjent i politikave të Kremlinit. Kjo është ajo që duhet të kenë parasysh investitorët perëndimorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu