Barack Obama jep deklaratën për UFO-t: Jam serioz për këtë gjë

0

Për shumë kohë, të shprehje interesin ndaj objekteve fluturuese të paidentifikuara, të njohura shkurtimisht me termin UFO, dukej një budallallëk dhe diçka e papranueshme. Jo vetëm njerëzit, por edhe disa nga qeveritë më të rëndësishme në botë, si ajo e SHBA-së, kanë mbajtur një qëndrim mospërfillës ndaj UFO-ve, por ja që gjërat duket se po ndryshojnë.

Një raport i “60 Minutes” në CBS trajton qasjen mospërfillëse të qeverisë amerikane ndaj UFO-ve. Muajin e ardhshëm, departamenti i mbrojtjes dhe agjencitë e inteligjencës në SHBA do të japin një raport zyrtar në lidhje me ekzistencën e objekteve të paidentifikuara dhe nisur nga kjo, një numër dëshmitarësh të besueshëm u intervistuan, përfshirë këtu ish-presidentin Obama dhe një ish-pilot të marinës amerikane.

“Çfarë është e vërtetë, dhe jam serioz në këtë pikë, është se ka pamje dhe regjistrime të objekteve në qiell, që ne nuk i dimë saktësisht se çfarë janë, nuk mund të shpjegojmë se si lëvizën, nuk mund ta shpjegojmë trajektoren e tyre,” tha Obama për CBS. “Nuk kishin një model lehtësisht të shpjegueshëm. Dhe kështu, ju e dini që unë mendoj se njerëzit ende po përpiqen seriozisht të hetojnë dhe të kuptojnë se çfarë është kjo. Por nuk kam asgjë për të raportuar sot.”

Interesi për UFO-të ndoshta do të rritet teksa SHBA po përgatitet të publikojë raportin në fillim të qershorit. Në mars, John Ratcliffe, ish-drejtori i inteligjencës në qeverinë Trump, tha se raporti do të zbulojë se ka pasur “shumë më tepër” raportime për UFO sesa ato që janë bërë publike.

Në prill të vitit 2020, Pentagoni – selia e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara –publikoi zyrtarisht video ku duken UFO. Për herë të parë, videot u publikuan nga New York Times në 2017-n dhe tregonin objekte të rrëmujshme që lëvizin me shpejtësi.

Një nga videot tregoi një incident në vitin 2004, ku pilotët e Marinës u ndeshën me një objekt 40 metra të gjatë që qëndronte rreth 50 metra mbi ujë, sipas New York Times; dy videot e tjera i përkasin vitit 2015 dhe shfaqin objekte të çuditshme në ajër.

Në deklaratën e Pentagonit u sqarua se videot kanë qarkulluar të paautorizuara dhe se “fenomenet ajrore të vëzhguara mbeten të paidentifikuara”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu