Portugalia nuk ia doli përballë Belgjikës dhe ndërsa edhe dueli Cristiano-Lukaku mori vëmendjen më të madhe para nisjes së takimit, supersfida u zgjidh nga Thorgan Hazard.
Ai shënoi një supergol në pjesën e parë duke kualifikuar kështë belgët për në çerekfinalet e “Euro 2020”, ku i pret Italia, një ekip me statistika të frikshme.
Goli i fitores për “Djajtë e kuq” u shënua në minutën e 42-të, ndërsa rasti më i mirë për portugezët ishte në minutën e 83-të, kur goditja e Guerreiros përfundoi në shtyllë.
5 minutat shtesë nuk ndryshuan rezultatin, pavarësisht se belgët mund të kishin shënuar golin e dytë nëse do të kishin shfrytëzuar kundërsulmet.
Kështu, Cristiano, golashënuesi më i mirë i “Euro 2020” për momentin, i jep lamtumirën Evropianit, por hap lojën e golave edhe për lojtarët e tjerë.