“Blerja e votës mbetet problem”, Misioni i SHBA-ve në OSBE flet për zgjedhjet e 25 prillit

0

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE ka bërë një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Ndërkohë që veçon aspektet pozitive, si zbatimi i suksesshëm i kodit të ri zgjedhor, misioni sjell në vëmendjen edhe problematikat gjatë këtij procesi.

Siç thuhet në deklaratë, partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme, përfshirë kontrollin në administratën lokale si dhe shton se është përdorur administrata në zgjedhje.

Misioni i SHBA thekson se mbetet problem shitblerja e votës dhe gjithashtu është shqetësuese rrjedhja e të dhënave personale të votuesve. Misioni amerikan e mbyll deklaratën duke inkurajuar SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore.

“Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vërejnë konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme nga detyra e saj, përfshirë përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative.

Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve.

Shtetet e Bashkuara përsërit se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të mbajnë përgjegjësi çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore,” thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara shpresojnë në raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajojnë Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti,” përfundon deklarata.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu