Deri në 4,000 euro/m², nuk ka të ndalur rritja e çmimeve të apartamenteve në bregdetin e jugut

0

Kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik ka ndikuar dhe tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet. Këtë vit, pas një stepjeje të përkohshme gjatë periudhës së pandemisë, tendencë është blerja e shtëpive nga shtetasit çekë, polakë, Kosova dhe nga emigrantë, ku zona më e preferuar është Qerreti i Kavajës, sipas përfaqësuesve të agjencive të pasurive të paluajtshme.

Arsyet e rritjes të kërkesës janë çmimet e favorshme që mundësojnë financimin për të pasur apartament në bregdet në ndërtimet e reja. Kërkesa është e lartë edhe për shtëpi në zonën e Golemit, por me hapësirë 1+1 dhe me çmime deri në 35 mijë euro. Për shkak të pamundësisë të zhvillimit të kësaj zone me ndërtime të reja çmimet nuk kanë ndryshuar.

Edhe pandemia ka ndikuar në tregun e pasurive të paluajtshme në vend, duke e zhvendosur gjithashtu preferencën për katet e para të pallateve 2-3-katesh në komplekset rezidenciale, si “San Pietro”, “Vala Mar” dhe “Lura” në Gjirin e Lalëzit në Durrës. Kërkesa për këtë tipologji ndërtesash dhe vila është orientuar më tepër nga banorët e Tiranës dhe emigrantët që kërkojnë të shfrytëzojnë gjelbërimin para ndërtesës apo dhe të kenë më tepër privatësi.

Në qytetin bregdetar të Sarandës rritja mesatare e çmimeve është 17% krahasuar me një vit më parë. Agjencitë real estate pohojnë se arsyeja kryesore e ndryshimit të çmimit është rritja e taksave. Edhe pse shtetasit e huaj zënë 80% të kërkesës për prona, apartamentet me çmimet e larta deri në 3 mijë euro në Sarandë po blihen nga shqiptarët.

Çmimet shtrenjtohen më shumë në Sarandë

Në qytetin e Sarandës, rritja e çmimeve nuk po njeh kufi. Çmimi maksimal i apartamenteve të reja pranë detit ka arritur deri në 4,000 euro/m² nga 3,000 euro/m² një vit më parë. Eron Çumani, njohës i tregut të shitblerjes së pronave për bregdetin, drejtues i agjencisë imobiliare “Saranda Invest Property”, tha për “Monitor” se rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve te ndërtimet e reja është rritur me 17% krahasuar me 2020.

Arsyet e ndryshimit të çmimeve, sipas tij, janë rritja e kostos të ndërtimit nga taksat. “Çmimi i shitjes për ndërtimet e reja në Sarandë aktualisht nis nga 1,200 euro/m² për prona në vijën e parë dhe arrin deri në 2,500 euro. Ka edhe prona të reja që në varësi të vendndodhjes, apo sipërfaqes së banimit, me çmim 3,000 – 4,000 euro/m². Çmimi mesatar i shitjes është rritur në të gjitha objektet e reja.

Ndër faktorët kryesorë të rritjes së çmimit është shumëfishimi i taksave për përfitimin e lejes së ndërtimit dhe më pas rritja e kostos së ndërtimit dhe e vlerës së pronës. Për pasojë, vlera e apartamentit për kosto ndërtimi ka arritur 800 – 900 euro m² plus 300 – 400 euro/m² që llogarit çdo investitor fitimet e tij”.

Për shkak të çmimeve të larta, kërkesa për apartamente është e ulët thotë drejtuesi i agjencisë “Saranda Invest Property”. “Problem është mosfinalizimi i shumë kontratave. Shtetasit e huaj që kërkojnë të blejnë apartamente në Sarandë priren edhe nga informacioni që përcillet për gjetje të pronave me çmime të arsyeshme.

Në fazën e shqyrtimit të pronës, çmimi i kapërcen pritshmëritë e tyre dhe shumica tërhiqen nga blerja, pasi me këto çmime ka vende shumë atraktive, të cilat funksionojnë mbi bazën e tregut dhe jo se sa para i nevojiten investitorit. Në tregun ndërkombëtar, prona kuotohet në bursë. Ka tavan të përcaktuar për zhvillimin e pasurive të paluajtshme dhe ndryshimin e çmimeve të shitjes. Me këto çmime të apartamenteve, ne konkurrohemi edhe nga vendet e rajonit, pasi ka zona më atraktive me çmime më të lira dhe standarde të larta në investim”.

Në Sarandë, kërkesa për blerje apartamentesh mbizotërohet nga shtetasit e huaj, kryesisht çekë dhe polakë. “Në 80% të rasteve, kërkesa për apartamente është nga shtetas të huaj, 10% është kontingjent i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, 10% të kërkesës e përbëjnë shqiptarë të diasporës, ndërsa vendasit e kanë pamundur të blejnë një shtëpi. Ata nuk mund të përfitojnë kredi, pasi për shkak të pandemisë, bankat kanë forcuar kriteret për kredinë”, pohon z. Çumani.

Bum kërkesash për apartamente në Golem dhe Qeret

Vërshon kërkesa për prona në bregdetin e Adriatikut, edhe pse çmimet për ndërtesat e reja janë rritur krahasuar me një vit më parë. Kërkesa në Qerret dhe Golem është e orientuar më tepër për shtëpi me hapësirë të vogël dhe me çmime të lira. Arian Gjuzi, broker i zyrës “Century 21 EON”, në Durrës, thotë se kërkesa është e lartë për apartamente 1+1 me çmime ekonomike, ndërsa për shtëpi banimi 2+1, kërkesat janë minimale.

“Për zonat turistike nga ura e Dajlanit, Golem deri në Qerret është rritur kërkesa për apartamente 1+1, me vlerë deri në 35 mijë euro. Nga 90% e kërkesës për blerje apartamentesh me këtë vlerë, të cilat do të përdoren për periudhën e plazhit, 40% është nga shtetas çekë dhe polakë; 20 – 30% nga qytetarët nga Tirana që dëshirojnë ta shfrytëzojnë apartamentin vetëm për stinën e verës dhe 30% të kërkesës e zënë shtetasit nga Kosova, Maqedonia dhe emigrantë shqiptarë”.

Të njëjtën qasje ka edhe Klajdi Memajdini, agjent i shitjeve në “Devinf”. “Këtë vit, kërkesa më e lartë për prona në bregdetin e Adriatikut është për zonën e Qerretit, për shkak të zhvillimit të projekteve të reja. Rritje të kërkesës ka edhe për prona në Gjirin e Lalëzit, edhe për apartamente në Golem. Në Lalëz dhe Qerret, shumica e blerësve të apartamenteve janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe emigrantë nga Italia”, pohoi z. Memajdini.

Agjentët e shitjeve në Durrës parashikojnë të ketë bum kërkesash për prona në të gjithë bregdetin e Adriatikut, sidomos nga shtetasit e huaj dhe emigrantët. “Për shkak të pandemisë, vitin e kaluar pati rënie të shitjeve. Për 2021, nisja e vaksinimit, hapja e kufijve dhe moskryerja e tamponit me detyrim për shtetasit e huaj pritet të rrisë kërkesën për apartamente në këtë vijë bregdetare”, pohon agjenti i real estate “Century 21 EON”.

Çmimet në zonën e Golemit nuk kanë shënuar rritje, vazhdojnë të jenë të njëjta si dy vite më parë. “Arsyeja është që vitet e fundit në këtë zonë nuk ka pasur ndërtime të reja. Apartamentet në vijën e parë të ndërtimit, si në zonën e Golemit dhe Qerretit, variojnë nga 700 – 1,000 euro/m². Në pjesën e pishave apo në komplekset e vogla çmimet variojnë nga 500, 600 deri në 650 euro/m². Çmimi i pronave të blera 15 apo 20 vjet më parë varion nga 300 deri në 400 euro/m². Pronarët po pranojnë t’i rishesin edhe me çmime të ulëta, apo edhe me çmimin e blerjes, për shkak të emigrimit apo mospërdorimit”, nënvizon Arian Gjuzi, agjent pronash në Durrës.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e agjencive të pasurive të paluajtshme shtojnë se tërmeti i 26 nëntorit 2019 nuk po ndikon te shitjet në Durrës. “Edhe pse ka shumë apartamente të dëmtuara nga tërmeti, që ende nuk janë riparuar, po shiten me çmime të ulëta ose okazion. Pavarësisht dëmit dhe kostos së riparimit, individët joshen për t’i blerë nga çmimi i ulët”.

Tendenca pas pandemisë 

Këtë vit, tendenca në tregun e pasurive të luajtshme është blerja e apartamenteve në zonën e Qerretit, kryesisht nga shtetas të Kosovës dhe kërkesa e lartë për katin e parë të pallateve të ulëta në zonat e rezidenciale të Gjirit të Lalëzit. Agjencitë imobiliare shpjegojnë se arsyeja se pse po kërkohen prona në Qerret është shtimi i ndërtimeve të reja dhe çmimet e favorshme. “Kërkesa për Qerretin është rritur, pasi aty po ndërtohen shumë pallate të reja. Kërkesa më e lartë për blerje është nga shtetasit e huaj, ata të Kosovës dhe nga Tirana. Çmimet e shitjes nga 550 – 600 euro/m² në 2020, këtë vit variojnë 650 -700 m²”, thotë Arian Gjuzi nga “Century 21 EON”.

Pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë, kërkesa për të jetuar në rezidenca ku janë të përqendruara apartamentet në ndërtime të ulëta dhe vila private është rritur ndjeshëm. “Këtë pranverë ka rritje të lartë të kërkesës për katin e parë të ndërtesave 2-3-katëshe, për shkak të shfrytëzimit të lulishtes, mundësisë për të bërë barbekju dhe ofrimi i më shumë privatësie. Për këtë tipologji ndërtimesh janë rritur çmimet në komplekset rezidenciale “Vala Mar” dhe “Lura” në Gjirin e Lalëzit.

Apartamentet në këto dy zona aktualisht po shiten 1000 – 1200 euro/m². Ndryshimi i çmimit nuk është i ndikuar nga rritja e kërkesës apo mirëqenies së familjarëve, por nga faza e ndërtimit. Për rezervimet në fazën e parë të investimit çmimet kanë qenë më të ulëta, krahasuar çmimet e shitjes pas përfundimit të projektit”, thotë Arian Gjuzi.

Rritet kërkesa për vila në Gjirin e Lalëzit

Mbyllja e kufijve për shkak të Covid-19 ka rritur interesimin e individëve për blerje të pasurive të paluajtshme në zonat bregdetare të Shqipërisë. Elma Hoxha, përgjegjëse e zyrës së marketingut të kompanisë “Edil Al”, thotë se kërkesa për vila në resortin “San Pietro” është rritur ndjeshëm në vitin 2021. Një ndër arsyet, sipas znj. Hoxha, është pandemia, pasi shumë njerëz gjithnjë e më tepër parapëlqejnë të jetojnë jashtë Tiranës, duke respektuar edhe distancimin social. “Arsye tjetër pse njerëzit po zgjedhin të blejnë në ‘San Pietro’ është afërsia e pronës me kryeqytetin dhe cilësia e lartë e punimeve. Jeta pranë detit dhe natyrës gjatë vitit, është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e kërkesës.

Në total, në resortin ‘San Pietro’ janë zhvilluar afërisht 1 mijë njësi banimi: 660 apartamente dhe 300 vila, me kapacitet strehimi rreth 4 mijë banorë. Çmimet e shitjes për apartamentet në ndërtesa 2-3-katëshe variojnë 1,350 – 1,400 euro/m² në varësi të vendndodhjes. Çmimet e vilave nisin 370 mijë euro (vilë dykatëshe me sipërfaqe oborri deri në 500 m²) dhe deri në 950 mijë euro vila elitare me 600 m² oborr dhe 1 mijë m² që përfshin gjelbërimin, pishinën etj. Një fakt interesant është rritja e kërkesës për blerje të pronave nga ana e agjencive të huaja të pasurive të paluajtshme, me qëllim rishitjen në tregun ndërkombëtar “real estate” te blerës të huaj që zgjedhin të investojnë kapitalet në Shqipëri”, pohon znj. Hoxha.

Profili i blerësit në gjirin e Lalëzit

Pothuajse 15 vjet më parë, atëherë kur Gjirin e Lalëzit apo siç njihet ndryshe edhe plazhi i “Shën Pjetrit” nuk e njihte askush, duheshin minimumi 2 orë të mira rrugë nga Maminasi deri në destinacion. Rruga ishte e paasfaltuar. Zona ishte e varfër. Dikur banorët e fshatrave kanë qenë të punësuar në minierën e Manzës, e përballonin jetën me të ardhurat nga emigracioni dhe bujqësia.

Plazhi i Shën Pjetrit, në Gjirin e Lalëzit, ishte një perlë që shpëtoi fatmirësisht (fatkeqësisht për banorët) nga mungesa e infrastrukturës. Sot, panorama është ndryshe. Gjiri i Lalëzit është një ndër destinacionet kryesore. Në një të diel tipike vere, trafiku bllokohet deri në Vorë. Fluksi i turistëve ditorë është shumë i lartë, por mundësitë akomoduese të tyre janë të pakta, pasi në këtë zonë kanë lulëzuar fshatrat turistikë me apartamente të ulëta dhe vila luksoze. “Lura 1”, “Lura 2”, “Lura 3”, “Vala Mar”, “San Pietro” janë vetëm disa nga rezidencat turistike në Gjirin e Lalëzit.

Një banesë atje është një status social. Agjenti i shitjeve në “Devinf”, Klajdi Memajdini, njohës i shitblerjes së pronave të paluajtshme për këtë zonë tha se çmimet e vilave në Gjirin e Lalëzit janë rritur 15 – 20% krahasuar me pranverën e 2020-s. Për këtë vit, çmimi i vilave elitare arrin mbi 1 milion euro. Pavarësisht ndryshimit të çmimit, sipas tij, kërkesa për vila është e përqendruar më tepër tek individët nga Tirana dhe shtetasit italianë. “Për shkak të zhvillimit të vrullshëm të Lalëzit, shumë individë nga Tirana që po blejnë vila në zonë, e konsiderojnë investim për shtëpi të parë.

Çmimet e vilave variojnë nga 300 mijë euro deri në 1 milion euro. Vilat me sipërfaqe shumë të madhe dhe me vendndodhje në vijën e parë me detin po shiten edhe me çmim mbi 1 milion euro. 50% e tyre po blihen nga individë nga Tirana, Durrësi dhe 50% e kërkesës është nga shtetas italianë, austriakë dhe gjermanë”, nënvizon përfaqësuesi i agjencisë imobiliare “Devinf”.

Në mënyrë më specifike, sipas përfaqësueses së kompanisë “Edil-Al”, kërkesa për vila dhe apartamente në resortin “San Pietro” është nga shtresa e mesme e shoqërisë. “Janë të shumtë individët si mjekë, inxhinierë, juristë, të cilët kërkojnë të jetojnë të paktën deri në 6 muaj në vit në shtëpitë që po blejnë në këtë zonë. Tendenca është në rritje edhe për përdorim si shtëpi të parë banimi. Kërkesa të shumta ka edhe nga emigrantët, si dhe shtetasit e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Për këta të fundit, duhet thënë se trendi është gjithmonë në rritje”, pohon znj. Hoxha.

Shtohet kërkesa për vila edhe në Jug

Ledia Telhai, drejtoresha e përgjithshme e “Balfin Real Estate & Hospitality”, thotë se kërkesa për vila dhe apartamente në Palasë të Himarës është rritur dhe në një kohë jo shumë të largët do të sjellë me gjasë dhe rritje të çmimeve. “Përkundër asaj që mund të ishte pritur nga një vit pandemie, që gjunjëzoi të gjithë globin, fatmirësisht kërkesat për vila dhe apartamente në ‘Green Coast Resort and Residences’ jo vetëm që kanë qenë të kënaqshme, por madje edhe i kanë kapërcyer pritshmëritë tona. Çmimet nuk kanë ndryshuar, janë po ato të një viti më parë, por nuk mund ta themi me siguri që do të vazhdojë kështu.

Jemi përpara faktit që, në njërën anë kemi rritje të shpejtë të numrit të banorëve në resort e të aktiviteteve të ndryshme që zhvillohen aty dhe, nga ana tjetër, po përballemi me një kërkesë në rritje; dhe sigurisht oferta në këtë zonë do të ketë një limit. Në këto kushte, është e kuptueshme që në të ardhmen, tregu mund të diktojë një rritje të çmimeve. Zona po merr gjithnjë e më shumë vlerë, ndaj kush investon sot bën një investim të zgjuar që i rikthehet disa herë më shumë në një kohë fare të shkurtër”, pohon znj. Telhai.

Përfaqësues të agjencive kryesore në vend pohuan se kërkesa më e lartë për prona në Jug është nga shtetas të huaj, ndërsa në bregdetin e Adriatikut, kërkesa më e lartë është nga vendasit. Zonja Telhai, drejtoresha e agjencisë “Balfin Real Estate & Hospitality”, thotë se cilët po i blejnë vilat dhe apartamentet në këtë resort. “Blerësit, banorët, rezidentët e përkohshëm dhe vizitorët e ‘Green Coast Resort & Residences’, janë kryesisht qytetarë me të ardhura mbi mesatare, për nga vetë cilësia dhe standardi i lartë i shërbimeve që ofron ky investim.

Sigurisht që ndër blerësit, janë familje shqiptare, që dëshirojnë të blejnë apo ndryshojnë banesën e dytë apo të tretë në bregdet, por edhe të huaj, qofshin ata të martuar me shtetas shqiptarë dhe të lidhur shpirtërisht me Shqipërinë, apo edhe qytetarë nga vende disi më të ftohta nga Europa Lindore apo Skandinavia, të cilët gjejnë klimën e tyre të ëndrrave në Mesdheun tipik dhe bukurinë përrallore që ofron plazhi i Çezarit në Palasë”, nënvizon znj. Telhai./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here