Dumre, treva ku mendohet se fshihet qyteti i fisit Ilir të Parthinëve

0

Nga dr. Fatos Salliu

Para pak kohësh në trevën e Dumresë, pikërisht në fshatin Rrasë, u  zbulua një termë romake. Ishtë një nga surprizat e këndshme arkeologjike të kohëve të fundit. Sipas arkeologëve, terma i përket shekullit të dytë të erës sonë. Por ka mendime të ndryshme lidhur me faktin se kujt i përket kjo termë. Ishte një stacion pranë degëzimit të rrugës Egnatia që vinte nga Apollonia, apo përreth saj fshihet një qytet i pa zbuluar ilir.

Në fakt treva e Dumresë fsheh në vetvete një histori të lashtë që ende qëndron e fshehur në nëntokën e saj. Mjafton të kujtojmë Gradishtën e Belshit që është një nga qytetërimet më të lashta në Iliri. Apo liqenin e Seferanit si tempulli i Perëndeshës së Bukurisë Afërdita.  Por treva në zemër të Ilirisë me siguri ka pasur zhvillim dhe qytetërim.

Të gjithë studimet të çojnë në ekzistencën e një fisi ilir të njohur si Eugenium në këtë zonë.  Eugenium ishte një fshat dhe fortesë e fisit ilir të Parthinëve, vendndodhja e të cilit është ende e panjohur.

Studimet antike vërtetojnë se Parthinët ishin një fis ilir, banorë të trevës midis lumit Mat dhe lumit të Semanit). Në perëndim kufizoheshin me toka e Dyrrahut, në lindje me Dasaretët tek malet e Polis Kamje. Përmenden që vitin 229 para erës sonë në këtë trevë, duke zëvendësuar emrin e Taulantëve, si një bashkësi, në kuadrin e shtetit ilir. Në vitin  229-205 p.e.r. kalojnë në varësinë e Romës, të shtetit ilir të Skerdilajdit dhe Maqedonisë.

Terma në fshatin Rrasë të Belshit

Në vitin 202 para erës sonë parthinët  ngritën krye kundër sundimit maqedon dhe u rikthyen në shtetin ilir, deri në vitin 172 para erës sonë kur i pushtoi përfundimisht Roma.

Në vitin 48 para erës sonë deri në vitin 39 para erës sonë ata ngritën krye kundër sundimit romak, por u shtypën egërsisht. Një parthini njohur si Asin Epikardi, organizoi një komplot për rrëzimin e Oktavioan Augustit në Romë. Si Hyun kryesor kishin Zeusin Parthin (Jupiter Parthinuës).

Qytetet më të përmendura  të fisit ishin Partha dhe Brysaka (Ndoshta emri i Broshkës së sotme vjen që andej). Historiografia përmend edhe emra të tjerë të qyteteve parthe si Zgërdheshin, Kalaja e Dorëzit, Kalaja e Persqopit, Gradishta e Belshit, Kalaja e Beratit dhe e Babunjës etj.

Luftëtar parthin

Por vetë kryeqyteti i Parthës nuk është zbuluar ende dhe mendohet se “fshihet” në trevën e Dumresë si epiqendra e fisit ilir të Parthinëve.

Gjithsesi zbulimi i termës në fshatin Rrasë tregon se  në Dumre kalonin rrugë antike dhe medoemos aty ka pasur edhe qytetërime për shkak të ekzistencës së ujit të liqeneve që është baza e jetës. Nënvizojmë faktin se terma si ajo e Rrasës së Dumresë së Belshit janë zbuluar në qytetet më të zhvilluara që njëh historia jonë si Dyrrahu apo Butrinti.

Veshje e luftëtarve gjetur në Gradishtë, Belsh

Gjithashtu gjatë viteve të fundit zbulime antike ka pasur edhe në fshatrat përreth Dumresë si në Ballagat (Zgjanë). Një vendbanim i hershëm ilir mendohet se ndodhet në një kodër në fshatin Vashaj e njohur si “Sopi i Vendit të Mirë” apo “Varret e Kaurrit”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu