AUSTRALI- Një baba dhe gjysh kanë vdekur duke u përpjekur të shpëtonin një fëmijë 2-vjeçar, i cili ra në një pishinë të Gold Coast të dielën. Mësohet se fëmija po luante pranë pishinës kur ai rrëshqiti dhe ra në ujë. Babai 38-vjeç dhe gjyshi 65-vjeç në pëpjekje për ta shpëtuar janë hedhur në ujë duke shkaktuar kështu një tragjedi të dyfishtë gjatë Pashkëve.
Mitchell Ware i shërbimit të urgjencës në Queensland ka njoftuar se kalimtarët i kanë tërhequr trupat nga pishina dhe kanë pritur deri sa mjekët kanë arritur. Megjithatë, babai dhe gjyshi kanë vdekur në vendngjarje. E prekur emocionalisht nga rasti ka mbetur edhe një grua dëshmitare e rastit e cila është dërguar në spitalin universitar Gold Coast.
“Këto incidente mund të kenë efekte afatgjata jo vetëm për anëtarët e familjes, por edhe për njerëzit që ishin në vendngjarje”, tha Ware.
Ndryshe, Pashkët duket të jenë kohë mjaft e ngarkuar për punonjësit e shërbimit të urgjencës, shkaku i rritjes së numrit të incidenteve të ndryshme e sidomos mbytjeve në ujë.
“Unë thjesht do t’i përsëris komunitetit që të tregoj kujdes, veçanërisht nëse nuk jeni notar i fortë. Ne e dimë se fëmijët madje edhe të rriturit mund të mbyten brenda disa sekondave nëse gjenden në situata të tilla”, përfundoi Ware.