Eksperti Haxhimali kritika Kryeministrit: E pahijshme të vish pas dy mandatesh dhe të flasësh për ndërtime pa leje

0

 

Agron Haxhimali, ekspert i qeverisjes vendore, ka folur për deklaratën e bërë një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama që nuk duhet të tolerohen ndërtimet pa leje në bregdet.

Për Haxhimalin është krejtësisht e pahijshme të bësh dallime fshat/qytet dhe të thuash “aty ku janë në zona të thella, edhe mund të ndërtohet pak, mos u merrni me të varfërit”, ndërsa ata që ndërtojnë pa leje në bregdet duhet të dënohen me 15 vite burg.

Eksperti i qeverisjes vendore madje shton se është e tepërt që një Kryeministër i cili ka qëndruar 8 vite në pushtet të vijë e të flasë përsëri për ndërtime pa leje.

Urdhrat e Ramës ndaj Policisë për të mos toleruar ata që ndërtojnë pa leje, Haxhimalit nuk i kanë pëlqyer. Sipas tij, është bashkia ajo që bën planet dhe në rast kur kryetari i bashkisë nuk e zgjidh dot çështjen, vetëm atëherë thirret Policia.

Po i kujt është faji për ndërtimet pa leje? Për Haxhimalin , 70% të këtyre ndërtimeve pa leje vijnë si pasojë e një klimë të përbashkët, një vesh shurdh, një sy qorr, mes qeverisë qëndrore dhe vendore.

Intervista e plotë:

Urdhri i Ramës për prishjen e ndërtimeve pa leje? Unë e ndoqa kryeministrin. Ju e parashtruat shumë mirë që nga 2013, diskursi i kësaj qeverie është aksion, aksion, aksion. Të kthehesh pas 2 mandatesh dhe të flasësh për ndërtime pa leje, mu duk e tepërt. Nga pikëpamja politike ai përcolli një mesazh, një bonus për një pjesë të qytetarëve që jetojnë në zonat rurale, se ai tha “aty ku janë në zona të thella, edhe mund të ndërtohet pak, mos u merrni me të varfërit”. Dha diçka, sepse ndjen që ka një mungesë shërbimesh ndaj qytetarëve në zonat rurale. Nuk është e hijshme një deklaratë e tillë e kryeministrit. Ndërtimet janë ose me leje ose pa leje, ata nuk ndahen në fshat dhe në qytet. Çdo qytetar në zonat më të thella, dhe në bregdet duhet të respektojë kushtet për tëmarrë leje ndërtime. Kryeministri nuk duhet t’i thojë bëjeni se nuk ju sheh njeri te fshati dhe të tjerëve t’i thotë mos e bëni sepse do ju çoj 15 vite në burg. Nuk dënon qeveria, dënon ligji. Një deklaratë që nuk i shkon tashmë në mandatin e tretë.

Pse pushteti vendor paska qenë kaq i dobët? Analiza duhet të fillonte me ministrat dhe kryetarët e bashkisë dhe t’i pyeste përse jemi në këtë situatë sot. Çdo bashki ka të miratuar planin e rregullimit. Është e pafalshme për cilindo bashki që lejojnë këtë. Janë përgjegjës drejtëpërsëdrejti. Nuk është zgjidhja do çojmë policinë. Policia futet në lojë vetëm kur kryetari bashkisë nuk e zgjidh dot. Duhet të forcohet roli i kryetarëve të bashkisë.

Mos ka mungesë bashkëpunimi mes policisë dhe bashkive? 70% të këtyre ndërtimeve pa leje e konsideroj si një klimë të përbashkët, një vesh shurdh, një sy qorr, mes qeverisë qëndrore dhe vendore. Janë këto periudhat parazgjedhore që janë shumë liberale, le të ndërtojn dhe të bëjnë gjithçka, por pas zgjedhjeve ndryshon puna. Qeveria duhet të reformojë sistemin e ndërtimeve pa leje.

Çfarë do të ndryshonit në drejtimin e një bashkie? Për mua bashkitë kanë nevojë të vetëdencitralizohen. Duhet të ndajnë sherbimet mes zonave urbane dhe rurale. Pasi njësitë administrative sot vegjetojnë kot dhe nuk japin asnjë shërbim për qytetarët. Qytetarët e zonave rurale janë më të prekurit. Natyra dhe tipologjia në fshat është e ndryshme nga ajo e qytetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu