Ekzekutimi i 41-vjeçarit në Elbasan

0

Everest Çaka, 41 vjeç, u vra mbrëmjen e djeshme në Elbasan pasi u qëllua me armë teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshorten Silvana Çaka. Kjo e fundit mbeti e plagosur lehtë në dorë.

Lidhjet familjare me disa persona të përfshirë në vrasje të bujshme në Elbasan nxisin dyshimin se ekzekutimi i Çakës të mund të jetë bërë për hakmarrje.

Policia tha se ngjarja ndodhi në orën 20:10 në lagjen “Skënderbej” njohur ndryshe edhe si “Fushë-Mbret” ku Everest dhe Silvana Çaka po lëviznin me makinën e tyre, tip “Opel”. Ata u qëlluan me armë në një rrugë që nuk ishte e vrojtuar nga kamera sigurie.

Dyshohet se autorët kanë përdorur armë silenciator pasi banorët e zonës nuk kanë dëgjuar krisma. Rreth dy orë më vonë në rrethinat e Kavajës, rreth 58 kilometra larg vendngjarjes, u dogj një makinë tip “Mercedes-Benz”. Autoritetet dyshojnë se ajo u përdor për vrasjen.

Burime për Infowebtv.com bënë me dije se Everest Çaka njihej edhe me emrin Ibrahim. Në fakt 10 vite më parë me këtë emër ai qe shoqëruar nga policia si i dyshuar për vrasjen e Gëzim Alikajt, shofer autobusi, ngjarje e ndodhur në zonën e doganës në Elbasan.

Asokohe bashkë me Çakën qe shoqëruar edhe Ardit Spahiu, kushëri, i njohur edhe me emrin Arjan Spahiu, i vrarë në nëntor 2020 në Belgjikë, ndërsa vrasja e Alikajt dyshohej se qe bërë për hakmarrje për vrasjen e vëllait të Çakës në Spanjë, i njohur me nofkën “Noçe”.

Lidhjet e tjera familjare, si ato me Erion Alibejn, kushëri, i arrestuar më herët si i dyshuar për përfshirje në të paktën dy vrasje nxisin më tej dyshimin se ngjarja e sotme të mund të ketë prapavijë hakmarrjen.

Vrasja e Everest Çakës, është e 19-ta që regjistrohet n vend, që prej fillimit të vitit.

infowebtv.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu