Flet Altin Dumani: SPAK nuk ndjek agjendë politike, për ne ka rëndësi prova!

0

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se nuk është i kënaqur me bilancin e institucionit që ai drejton prej dy vitesh, ndonëse e quan si pozitiv dhe brilant. Dumani thotë se kjo vjen për shkak se ai është kërkues ndaj SPAK por edhe ndaj vetes.

Në një intervistë, të parën televizive, për gazetarin Alban Dudushi, Dumani tha se SPAK ka dy prioritete, korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe se deri tani ka treguar se mund të ushtrojë ndjekje penale ndaj çdo zyrtari të lartë.

Ai shtoi se SPAK është një institucion i ri, pesë vjeçar dhe tashmë është formësuar plotësisht.

“Nuk jam i kënaqur me bilancin e SPAK, sepse unë jam shumë kërkues ndaj institucionit që drejtoj dhe ndaj vetes. Por mund të them se kemi një bilanc pozitiv, dy vite si drejtues dhe 5 vite si SPAK. Pesë vite nuk janë shumë për një institucion të ri për t’u formësuar. Kishim shumë dosje të trashëguara nga Krimet e Rënda. Tre vitet e para të SPAK, nuk ishin vite letargjie, ishin vite që kushtëzoheshin nga faza e institucionit që kalonte.

Kështu është me çdo institucion që krijohet rishtazi. U krijua në 2019-ën dhe të gjesh një institucion funksional duhen shumë gjëra. Tani kemi një institucion të plotë, me 20 hetues, laboratorin tonë, teknologjinë e përshtatshme. Tre janë prioritetet e SPAK, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Sa i përket korrupsionit, besoj se SPAK ka dëshmuar me prova që ushtron ndjekje penale për çdo funksionar, sado të lartë”, u shpreh Dumani.

I pyetur lidhur me perceptimin se SPAK, “godet më tepër nga njëra anë”, Dumani tha se institucioni i drejtësisë së re nuk ndjek agjendë politike.

“Nuk mbajmë agjendë, nuk kemi agjendë politike. Për ne ka rëndësi prova”, u shpreh ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu