Gjiknuri dhe Llatja në Papër: “Më 14 maj ne vijojmë progresin e nisur në Elbasan; Kundërshtari politik do të bunkerizojë bashkinë”

0

“Nga pamundësia për të fituar, kandidati përballë ka filluar me gënjeshtrat”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorë të njësisë Papër në Elbasan. Ai kërkoi mbështetjen e banorëve të kësaj zone për kandidatin e PS Gledian Llatja që kërkon votëbesimin për një tjetër mandate të mbushur plot me investime. “Mos harroni një gjë që në 14 maj ne kemi mundësi të vlerësojmë edhe të vërtetën nga gënjeshtra. Përballë kemi një kandidat i cili nga pamundësia për të fituar fillon dhe përdor mashtrime, bën premtime boshe. Mashtrimi i tij publik ka filluar të kthehet në humor. Pa pikë turpi tha do ndërtoj në Elbasan një Disneyland. Dy ka e gjithë bota, të tretin do e ndërtojë Luçiano në Elbasan. Tha do rris pensionet. Se çfarë detyre ka kryetari i bashkisë me pensionet se kuptoj. Kjo tregon dëshpërim dhe tregon mungesë serioziteti. Mori një italian që flet anglisht në mes të Elbasanit, nënshkroi marrëveshje 400 milion euro investime, futesh në internet dhe kompania del me status pasiv. Pse? Sepse ishte kompani që nuk ekzistonte. Po pse kështu do i gënjesh elbasanllinjtë si në vitin 1991 që sillte një të huaj që fliste anglisht” u shpreh Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve u shpreh se vota për PS dhe kandidatin e saj, është garanci për të vijuar me projektet infrastrukturore dhe shërbimet në dobi të komunitetit.
“Gledi nuk është vetëm, Gledi ka një ekip politik nga mbrapa, mbi të gjitha ka kryeministrin shqiptar, ka dhe Partinë Socialiste. Është shumë e rëndësishme që në 14 maj ne ta ruajmë binomin bashki – qeveri të Partisë Socialiste. Pa mbështetjen e qeverisë, shumë nga projektet e mëdha që po bëhen në Elbasan dhe që do vazhdojnë të bëhen, nuk do të bëhen realitet. Sepse kur e merr krahu kundërshtar bashkia bunkerizohet, kthehet në një lloj feudi politik. Kthehet në një politikë ekstremiste të atyre dy njerëzve në Tiranë që kanë sjellë kandidatin kundërshtar. Se kandidati kundërshtar mbase do ta mohojë ‘atësinë’ politike”, vijoi më tej Gjiknuri.


Drejtuesi politik i qarkut Elbasan u shpreh se 14 Maji nuk mund të jetë një kthim pas sepse Shqipëria nuk ka kohë më për të humbur dhe Elbasani po ashtu.

“Nga ana tjetër në 14 maj ne vazhdojmë progresin e nisur edhe për Elbasanin. Të gjitha ato projekte të mëdha që kanë nisur në Elbasan, që do ta ndryshojnë qytetin, patjetër do të japin impakt në të gjitha zonat. Do të bëjnë të mundur që Elbasani të kthehet në një qendër të rëndësishme ekonomike. Elbasani ka një pozicion strategjik. Është një qytet me veprimtari prodhuese, ka një rrjet të mirë energjetik, ka lidhje të mirë rrugore, është afër portit, afër kryeqytetit. Të gjitha këto avantazhe gjeografike duhet ti shfrytëzojë në dobi të tij. Gledi kur jep angazhim këtu për Paprin, patjetër bëhet dhe angazhimi im. Patjetër fillon dhe kërkesa e llogarisë brenda këtij ekipi politik që quhet Partia Socialiste” nënvizoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u shpreh se përmirësimi i infrastrukturës do të vijojë me të gjithë fshatrat e Elbasanit. “Rrugët që po bëjmë në Vidhas, në Balldren do të vazhdojmë me të gjithë fshatrat e tjerë pastaj. Janë investime që ju i keni kërkuar prej kohësh dhe ne po i zbatojmë, ne po i vijmë në ndihmë çdo qytetari, të përmirësojmë cilësinë e jetesës. Ne duam të bëjmë punë për komunitetin, këtë kemi bërë dhe këtë do të vazhdojmë të bëjmë. Ato të tjerët kanë hallin e Salës, të Ilirit, kanë hallin e vet, ne kemi hallet e komunitetit. Këtë mandat kemi për të bërë katërfish punë se çfarë kemi bërë në këtë mandat. Kemi një mbështetje të madhe të qeverisë dhe të kryeministrit Rama. Kemi bërë gjashtë shkolla deri tani, do të rikonstruktojmë në këtë mandat të ri plotësisht, por edhe pjesërisht, minimalisht edhe 27 shkolla të tjera” tha Llatja.
Më tej, z. Llatja i prezantoi banorët e Paprrit me programin e tij “Elbasani 2030”, i cili siguron një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nisur nga projektet e mëdha të investimit.
“Sot kemi ardhur të kërkojmë mbështetjen tuaj për të vazhduar edhe katër vite bashkë. Katër vite në bashkinë e Elbasanit dhe katër vite pune, për të zhvilluar infrastrukturën, ekonominë, për by- passin e Elbasanit, për zgjerimin e Korridorit 8 – për rrugët tona të brendshme, për qytetin dhe për fshatin”, deklaroi Llatja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu