Nga dita e sotme, qytetarët që nuk u binden rregullave të karantinës së pjesshme, do të përballen me masa ndëshkuese, që variojnë nga gjoba në vlerë 10 mijë lekë të reja, e deri në burgimimin e tyre. Në konferencën me gazetarët, Manastirliu bëri me dije se për të gjithë ata qytetarë që lëvizin nga shtëpitë e tyre pas orës 22:00 pa një autorizim përkatës, do të futet sërish në fuqi akti normativ që u firmos më 15 mars.
Por cilat janë ndëshkimet? Së pari, çdo qytetar që shkel orarin policor pa një arsye të domosdoshme dhe pa një autorizim nga e-albania, gjobitet me 10 mijë lekë të reja. Së dyti, kush lëviz me makinë, pa një autorizim të posaçëm nga e-albania, i hiqet leja e drejtimit. Së treti, të gjithë ato biznese që nuk i binden urdhërit dhe qëndrojnë hapur pas orës 22:00, gjobiten nga 500 mijë lekë deri në 1 milionë lekë të reja. Kush e përsërit shkeljen, i hiqet mundësia për të ushtruar aktivitetin për gjashtë muaj.
Vlen të theksohet, gjithashtu se çdo i infektuar me Covid-19 që nuk zbaton karantinimin dhe e bën me dashje rrezikon 2-5 vite burg. Kur ka pasoja të rënda në njerëz, personi në fjalë rrezikon 3 deri në 8 vite burg.