Humb betejën me koronavirusin ish-ministrja e Bujqësisë, Themie Thomai

0

Ish-Ministrja e Bujqësisë dhe anëtarja e Komitetit Qendror të PPSH-së, Themie Thomai ka humbur betejën me koronavirusin.

“Panorama” mëson se ish-ministrja Thomai u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas komplikacioneve që i shkaktoi COVID-19, nga i cili ishte prekur prej ditësh.

Kush është Themie Thomai

Themie Thomai është ministrja e Bujqësisë më jetëgjatë e çdo qeverie të Shqipërisë. Ajo u emërua në këtë post në vitin 1975 dhe e mbajti deri në vitin 1988. Thomai kishte dy fëmijë, një vajzë dhe djalë, si dhe ishte bërë tri herë gjyshe.

Në një intervistë të shumë viteve më parë për “Gazetën Panorama”, Thomai tregonte edhe se si kishte rezistuar për 13 vite në krye të Ministrisë së Bujqësisë.

“Nuk kisha arsye që të mendoja se do të isha ministre, nuk kisha as arsye që të mendoja se do të rrija vite në atë post edhe në momentin kur u ula në atë karrige. Aq e vërtetë ishte sa në kohën dhe hapësirën që më ishte lejuar, nuk kam qenë asnjëherë konformiste. Mendimin e kam thënë ashtu siç e mendoja unë, siç e kuptoja dhe siç e gjykoja unë nga terreni i prekshëm. Natyrisht për këtë kam pasur edhe përplasje dhe shqetësimi im bëhej akoma më i madh dhe i trishtë. Unë e kisha ndryshe mendimin. Nuk isha dakord me një bujqësi arkaike, primitive, isha për një bujqësi që i përgjigjej kërkesave të kohës për të prodhuar. Por, me sa dukej nuk ishin kushtet dhe investimet dhe kjo çonte shpesh në përplasje. Kishte diversitet në mendime dhe shpesh pasoja”, shprehej ish-ministrja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu