‘Infoweb Media Award Ceromony’ & partnerët, vlerësojnë me çmime 12 personazhe të vitit

0

Nga editori i Infoweb Media

Eventi kombëtar u zhvillua në ambientet historike të Kalasë së Elbasanit.

Ndodh rrallë sot që një platformë mediatike t’i dedikohet personazheve që lënë gjurmë në fusha të ndryshme të aktivitetit njerëzor. Madje mjaft prej tyre, me modestinë që i karakterizon, janë ‘heronj të heshtur’ edhe pse kanë kontribute të vyera.

Ekziston një platformë mediatike në Shqipëri që është mjaft e vëmendshme në këtë sens. Ajo është Infoweb Media. Sepse misioni i saj, nuk janë vetëm pasqyrimi në kohë reale i ngjarjeve, problematikave dhe fenomeneve, por edhe përçimi i vlerave, promovimi i modeleve inspiruese.

Për këtë qëllim, me afrimin e fundit të këtij viti, Infoweb Media dhe partnerët e saj, Bashkia e Elbasanit, Prefektura dhe Këshilli i Qarkut, organizuan ‘Infoweb Media Award Ceremony’.
Ky event vlerësoi me certifikata dhe kupa disa nga figurat më të spikatura në shkallë vendi dhe mbarë trojet shqiptare. Personazhet e përzgjedhur vinin nga bota e artit, historisë, gazetarisë, mjekësisë, sportit biznesit etj.

Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori i Kinës në Shqipëri, Ambasadori i Azerbajxhanit, Ambasadori i Kosovës përfaqësues nga ambasada turke, pushtetarë, aktivistë, intelektualë, qytetarë etj.

Në fjalën përshëndetëse, Drejtoresha e Infoweb Media, Anisa Bahiti, shprehu falenderimin për të pranishmit në këtë event me përmasa kombëtare. Më tej ajo evidentoi Infoweb Media si një histori suksesi në realitetin mediatik shqiptar, dhe jo vetëm.

‘Tre vjet më parë ne guxuam. Gjetëm mjaft dëshira dhe energji pozitive brenda vetes dhe nuk gabuam. Jetojmë kohë interesante! Ndryshimi i botës dhe i shoqërisë ecën me shpejtesinë e dritës. Dhe ne e ‘kapëm dritën’. U bazuam në internetin dhe teknologjinë digjitale dhe sot zëmë me prestigj vendin mes 50 mediave më të mira në Shqipëri’.

Më tej Bahiti përcolli mesazhe shumë domethënëse për situatën në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare. ‘Ne duam të jemi shembulli se si rinia duhet të vazhdojë të jetojë e të punojë në këtë vend, sesi informacioni të mos jetë propagandë, sesi edhe në periferi të vendit tonë të bukur të kemi realitete mediatike si Infoweb Media e cila matet me platformat tradicionale sot në Shqipëri, por me ndryshimin se ka sjellë një media bashkëkohore, atraktive dhe mjaft e lehtë për tu eksploruar’!

Më pas u zhvillua ceremoni e ndarjes së çmimeve.

12 personazhet që u vlreësuan me certifikata dhe kupa:

1- Nevila Nika, iu dha çmimi ‘Historiane e Vitit’ me motivacionin: ‘Për kontribute të shquara në hulumtimin e historisë së trojeve shqiptare dhe analizën e vlefshme të provave dhe fakteve me dokumente’.

2-Kim Mehmeti, iu dha çmimi ‘Publicist i Vitit’ me motivacionin: ‘Për kontributin e çmuar në publicistikë, si një nga publicistët më të shquar të të gjithë trojeve shqiptare, i spikatur për trajtimin me vërtetësi dhe objektivitet të ngjarjeve dhe fenomeneve në nivel rajonal e ndërkombëtar’.

3- Kreshnik Ajazi, Drejtuesit të Prokurorisë Elbasan, iu dha certifikata e mirënjohjes me motivacion: ‘Për kontribut të rëndësishëm në rritjen e besimit të publikut ndaj institucioneve të drejtësisë si dhe goditjen pa kompromis të fenomeneve kriminale’.

4- Zheni Gjergji, iu dha kupa me motivacionin: ‘Për aktivizëm dhe humanizëm të lartë qytetar.’

5- Ilir Kulla, iu dha çmimi ‘Analist i Vitit’ me motivacionin: “ Për kontributin në fushën e medias, nëpërmjet analizës së ngjarjeve të rëndësishme në nivel kombëtar e ndërkombëtar për vitin 2023’

6- Egla Ceno, iu dha çmimi ‘Artist i Vitit’ me motivacionin: ‘Për kontribut të çmuar në fushën e artit, nëpëmjet interpretimeve të ndryshme në teatër dhe pasurimin e jetës kulturore të qarkut të Elbasanit’.

7- YUSUF SEZAİ KŰRŰM, iu dha çmimi ‘Biznesi i Vitit’ me motivacionin: ‘Për frymën e mirë të bashkëpunimit, mbështetjes së komunitetit dhe kontributin në rritjen e perfomancës ekonomike në Qarkun e Elbasanit’.

8- Arbër Hajdari, iua dha certifikatë mirënjohje me motivacionin: ‘Për kontributin e çmuar në ndihmë të komunitetit, nxitjen e vullnetarizmit dhe frymën e lartë të humanizmit’.

9- Mina Kallajxhiu, iu dha çmimi ‘Mjeku i Vitit’ me motivacionin: ‘Për kontribut të vyer në fushën e mjekësisë, profesionalizmin e lartë dhe humanzmin e spikatur.

10- Thimi Samarxhiu, iu dha çmimi ‘Gazetar i Vitit’ me motivacionin: ‘Për kontributin në raportimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve nga lufta në “Gaza” dhe trajtimin me profesionalizëm të çështjeve dhe fenomeneve në nivel kombëtar e ndërkombëtar për vitin 2023’.

11- Ertjan Kofsha, i jepet çmimi ‘Sportisti i Vitit’ me motivacionin: “Për rezultate të shkëlqyera në sportin e peshëngritjes, si ‘kampion bote’ në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes zhvilluar në Meksikë’ dhe si e ardhmja e peshëngritjes në Shqipëri’.

12- Iris Sula, iu dha çmimi ‘E Reja e Vitit’ me motivacionin: ‘Si fituese e 10 çmimeve të para në konkurse kombëtare e ndërkombëtare dhe si pjesmarrëse në mjaft festivale e programe artistike’.

Gjatë fjalës së tyre ata shprehën vlerësim për platformën Infoweb Media dhe premtuan se edhe në të ardhmen do të japin maksimumin në dobi të shoqërisë.

Infoweb Media, 15.12.2023

   

  

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu