Intervista e plotë në studion e Infoweb Media e Drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Ardian Çipa, dhënë gazetarit Fatos Salliu në emisionin Infofocus

0

Zbardhet intervista e plotë e Drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Ardian Çipa, dhënë gazetarit Fatos Salliu në emisionin Infofocus.

Drejtori Çipa i ka dhënë përgjigje pyetje lidhur me aksionet e policisë për kapjen e krerëve të botës së krimit, zbulimi i ngjarjeve të vjetra kriminale, trafikut të drogës, aksidentet dhe qarkullimi i automjeteve, dhunës në familje, qëndrimim i policisë gjatë fushatës etj, si dhe objektivat për vitin në vazhdim.

Elbasani është konsideruar si një ndër qytetet problematik në vitet e kaluara për shkak të ngjarjeve kriminale. Cila është puna e bërë nga Drejtoria e Policisë?

Ju falenderoj për ftesën. Gjej rastin të shkëmbej me qytetarët e Elbasanit një sërë rezultatesh pozitive gjatë vitet 2022 dhe objektivat për 2023. Me krenari shumë të madhe është një vit suksesi. Krimet e rënda dhe kundër personit në raport me vitet e mëparshme kanë rezultate shumë të mira, si me numrin e ngjarjeve të ndodhura që është numri më minimal i mundshëm: kanë ndodhur vetëm dy vrasje, që njëri është për shkaqe të konflikteve të castit dhe një tjetër në familje për të cilat autorët janë identifikuar, dokumentuar dhe arrestuar në moment. Por ndërkohë përvecse nuk ka pasur raste të cilat kishte krime të rënda që kishte të bënte me krime të mëparshme ka pasur dhe zbulim edhe të ngjarjeve të vjetra, të cilat kanë qenë në hetim, autorët janë dokumentuar dhe ka të tjerë në hetim nga prokuroritë respektive. Nga ana jonë janë vendosur në dispozicion gjithë burimet dhe ka hetime që janë ende në proces.

Gjithashtu do ta konsideroja një vit me angazhim të madh për rifillim të hetimeve për ngjarje të vjetra pa autor të cilat janë në proces nga strukturat e hetimit nga drejtoria e policisë. Përfitoj nga rasti të përmend se në vitin 2021 ka pasur 9 vrasje të ndodhura në juridiksionin e Elbasanit nga të cilat janë zbuluar 5 dhe në vitin 2022 sic e thashë janë dy vrasje për motive të dobëta.

Në media, është lakuar Elbasani sikur disa nga kokat e krimit janë të fshehur këtu. Dhe ka pasur opoeracione. Por ska pasur rezultate. Si qëndron e vërteta?

Në përgjegjësinë e drejtorit më lejoni të konfirmoj se rezultatet janë ndryshe me perceptimin publik. Numri i personave që kanë qenë në kërkim dhe janë kapur në 2022 janë 174 persona që i bie një person në kërkim i kapur në dy ditë. Pra tregon një dinamikë të madhe të policisë në këtë drejtim. Janë 34 persona më tepër, sesa janë kapur në 2021. Gjithashtu konfirmoj me përgjegjësinë e drejtorit se autoriteti i drejtorisë vendore Elbasan në gjithë veprimtarinë e qarkut është i plotë. Nuk ka pengesa më të voglat për të ushtruar kontrolle apo të ushtrojë gjithë autoritetin që i jep ligji në juridisksionin e qytetit. Është e vërtetë që janë kryer një sërë operacionesh dhe do të kryhen në vazhdim edhe për personat në kërkim. Operacione të cilat kanë proceset e tyre pasi ne të gjitha veprimet proceduriale i kryejmë në respekt të plotë me të drejtat e liritë e individit dhe në përputhje me ligjshmërinë. Për këtë dua të falenderoj edhe prokurorinë e gjykatën që na kanë mbështetur dhe na kanë dhënë akses për të kryer këto kontrolle. Në fakt, nga kontrollet e kryere për kapjen e personave në kërkim nuk kemi të dhëna se ka dekonspirim të këtyre operacioneve. janë kryer operacione në bazë të të dhënave e informacioneve që kanë ardhur dhe ende vazhdon puna për kapjen e tyre, Elbasani ka rreth 213 persona që janë në kërkim.

A dyshohet se mund të ketë ndonjë person policie që dushohet se mund të jenë të lidhur me elementë të krimit dhe mund të kenë dekonspiruar operacione?

Në dijeninë time si drejtor i policisë, trupa e policisë së Elbasanit është një trupë që ka profesionalizimin dhe integritetin e duhur. Por në rastet që evidentohet se shkelet ky profesionalizëm dhe integritet atëherë pozicioni im do të jetë i qartë: do të distancohem dhe do të bashkëpunoj me agjencitë e zbatimit të ligjit që kanë për objekt të hetojnë dhe të dokumentojnë cdo shkelje ligjore që evidentohet me agjencinë e mbikqyrjes policore apo prokurorinë e rrethit gjyqësor.

Janë kryer dhe disa operacione për sekuestrimin e disa pasurive që sipas organeve ligjzbatuese janë vendosur në mënyrë të paligjshme. A ka shkuar deri në fund procesi, kanë marrë dënimin e duhur këta persona? Çfarë pune po bëhet në këtë drejtim?

Tani të ndajmë dy gjëra: një është dokumentimi i aktivitetit kriminal dhe një është hetimi i aseteve që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Ne kemi parë si objektiv kryesor hetimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë. Janë sekuestruar asete me vendime gjykate në vlerën e 7.2 milionë eurove gjatë 2022 dhe proceset deri tani kanë shkuar mirë. Ne jemi duke monitoruar gjithë procesin. Në tërësi ka pasur raste konfiskimi që procesi ka qenë shumë i mirë. Mund të themi se institucionet kanë funksionuar dhe puna do të vazhdojë në drejtim të hetimit të aseteve me të kaluar kriminale.

Sa efikase ka qenë policia në zbulimin e ngjarjeve të vjetra?

Eshtë shumë egoiste që ne të marrim suksese përsipër ndërkohë që duhet të përmendim prokurorinë. Gjatë 2022 prokuroria ka qenë pjesë e pandarë e hetimeve dhe kërkesave të policisë. Madje ka qenë pikënisje shumë e mirë për hetime serioze nga prokuroria speciale dhe do të ketë konkludime për vepra penale me apo pa autorë në të kaluarën.

Trafiku i drogës është cështje sensitive. Në media thuhet se në Elbasan mund të ketë tranzit të trafikut. Por përdoruesit janë problem…

Ky është një objektiv kryesor i policisë në komunitet. Ne jemi në moment reformimi të policisë dhe do të shohim se strukturat e reja do të angazhohen me trafikun e drogës. Dhe shqetësimi është shpërndarja e drogërave nëpër shkolla. Në fakt ky është një proces shumë kompleks përvec hetimit penal që policia ka pjesën kryesore: të indentifikojë personat, të dokumentojë dhe të arrestojë dhe ka numër të konsiderueshëm të arrestuarish. Por është edhe proces social ndërgjegjësimi për prindërit apo stafeve pedagogjike nëpër shkolla. Dhe të jenë bashkëpunues me policinë dhe aty ku ka vend për të diskutuar për mungesë eficense policia të marrë masat e veta.

Ka projekt konkret për bashkëpunim me shkollat?

Ka pasur disa aktivitete si sensibilizuese, janë këshillat rajonalë të sigurisë ku pjesë eshtë policia. Do të intesifikohet puna në këtë drejtim. Policia do të ketë trajnime dhe organizime.

Po kultivimi i bimëve narkotike?

Dhe këtu kemi një sukses. Nuk ështe Elbasani qarku më problematik por viti 2022 është një vit që evidenton 695 bimë në raport me 9000 bimë në vitin 2021. Është një punë shumë e madhe energji e harxhuar dhe kohë në radhë të parë në bazë të një plani të detajuar edhe në vitin 2023. Njerëzit duhet të kuptojnë se kjo është një vepër penale. Krahasimet i kemi bërë me vetveten por jemi në qark i suksesshëm për parandalimin.

Sa i përket dhunës në familje. Ka një trend në rritje…

Nuk do të thoja se ka një trend në rritje. Kemi vec një ngjarje të rëndë që ka ndodhur për shkak të dhunës në familje, e paevidentuar e pakallzuar. Por kemi mekanizma shumë më të fortë e profesionale e të mirëtrajnuar. Por dhunën e trajnojnë edhe këshillat ndërinstitucionalë që kanë të gjithë burimet për ta bërë këtë në një proces që i fut njerëzit në rrjedhën normale. Por ne duam bashkëpunimin me qytetarët që hezitojnë për ti prezantuar dhe referuar në institucionet respektive.

Policimi në komunitet, si është ky proces në Elbasan?

Unë kam disa të dhëna që dua të bëj prezent te qytetarët. Numri i telefonatave në sallë gjatë 2022 është shumë i rritur. 107439 telefonata në gjithë qarkun në raport me 20.000 në 2021 dhe 6000 në vitin 2020. Raportimi në komisariatin digjital: në vitin 2022 – 1936 raportime në raport 1123 në 2021 dhe 800 në 2020. Një komponent i rëndësishëm është edhe sondazhi i agjencisë suedeze që e nxjerr policinë nga institucionet më të besueshme në qark.

Duhet të ndalemi edhe tek akset e Elbasanit që janë problematike për automjetet. Cfarë po bëhet në këtë drejtim?

Është vërtet një cështje shqetësuese qarkullimi. Qarku është i hapur dhe ka aksin më të gjatë në republikë sa i përket ndërlidhjes. Dhe ndërkohë qarkullimi është shumëfishuar. Dhe infrastruktura e zhvillimit të rrugëve dhe sinjalistikës ka ngelur në vend. Kam bindjen që me bypass e Elbasanit do të ketë zgjidhje. Por pavarësisht kësaj ngarkese policia rrugore ka qenë në këmbë. Do të bëj një apel për qytetarët që të respektojnë rregullat. Pavarësisht përdorimit të këtij aksi, numri i aksidenteve është më i ulët në raport me një periudhë të mëparshme. Pavarësisht përdorimit më të madh. Gjithashtu ne shohim që është shumëfishuar numri i ndëshkimeve. Por duhet bashkëpunim me institucionet dhe bashkitë që aty ku duhet ndërhyrje të bëhet. Politika e policisë është më shumë te ndërgjegjësimi që të respektojmë rregullat e normat.

Jemi në vit elektoral. Cili është roli i policisë?

Ligji për policinë dhe ligji për zgjedhjet e përcaktojnë shumë qartë pozicionin e policisë. Ne do të jemi në përputhje me detyrimet dhe nga aktet nënligjore që vijnë nga drejtoria e përgjithshme. Cdo qëndrim që bie ndesh me këto akte të rëndësishme, do të ketë qëndrim të rrepte dhe ndëshkime. Nuk do të lejohet ndërhyrja apo cënim i zgjedhjeve. Policia e Elbasanit do të jetë në krye të detyrës për të ofruar gjithë shërbimet që ne kemi objekt të punës sonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu