Ja sa është fatura e kurimit anti-Covid në Shqipëri

0

Mbi 90 mijë lekë të reja është kostoja financiare për trajtimin nga Covid-19 për një pacient. Syri Televizion ka bërë një analizë për faturën financiare që duhet të përballojë një familje shqiptare nëse ndonjë pjesëtar i saj preket nga virusi në dy stadet fillestare

Pandemia e Covid-19 po merr përmasa të rënda në vendin tonë, ndërkohë duke përfituar nga mungesa e kontrolleve nga institucionet kanë nisur edhe abuzimet me çmimet e medikamenteve dhe shërbimeve mjekësore.

Syri Televizion ka bërë një vëzhgim për të kuptuar se sa është kostoja financiare që duhet të paguajë një familje shqiptare nëse një anëtar i familjes është prekur me Covid-19, në një kohë qeveria propagandon shëndetësinë falas.

Për të evidentuar infektimin kur pacienti ka shenja të Covid-19, për të kryer tamponin duhet të presë deri në një javë ekipin e ISHP dhe deri në 5 ditë përgjigjen e tamponit, në një kohë kur shëndeti i tij mund të jetë agravuar dhe privati mbetet zgjidhja e vetme, ndërsa skaneri në shtet është mision i pamundur, në vendin ku propagandohet mjekësi falas.

Një tampon për të konstatuar ngarkesën virale, i kryer në një klinike private kushton 15 mijë lekë të reja, ndërsa skaneri kushton deri në 22 mijë lekë të reja.

Por kalvari i pacientëve me Covid sapo ka filluar. Analiza e gjak-PCr dhe Dimmer, të cilat në total shkojnë 35 mijë lekë, do të pasohen nga një recetë me antibiotikë, hollues gjaku dhe vitamina, tarifa e të cilave shkon deri në 12 mijë lekë të reja.

Nga një recetë standarde Covidi, i vetmi medikament që mund të rimbursohet është Xarelto, holluesi i gjakut. Megjithatë, që të përfitohet rimbursim duhet të plotësohen shumë kushte nga pacienti, dhe pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk e përfitojnë.

Nëse disa medikamente në këtë kurë zëvendësohen me marka më cilësore dhe më të fuqishme brenda kategorive përkatëse, atëherë kostoja shkon në vlera të larta.

Ndërkohë kostot vijojnë të rëndojnë mbi qytetarët pasi lista që sugjerojnë mjekët vijon e shtohet, ku tretësi i sekrecioneve, mesatarisht kushton 1.100 lekë për një muaj.

Gjithashtu për të pasur nën monitorim nivelin e oksigjenimit në gjak nevojitet oksimeter që varion nga 3 mijë deri në 6 mijë lekë.

Ka të sëmurë që bëjnë në kushte shtëpie terapi oksigjeni, e cila është sërish shumë e kushtueshme. Aparati i oksigjenimit me qira për 1 muaj kushton 10 mijë lekë të reja.

Por ka edhe shumë persona, të cilët nga frika apo kujdesi detyrohen që të marrin antiviral, i cili shitet në tregun informal nga 400 deri ne 800 euro.

Përpos kostove të medikamenteve, Syri TV ka vërejtur rritje të çmimit të pajisjeve mjekësorë, ku rasti me skandaloz është ai I termometrit me zhivë, çmimi i të cilit është katërfishuar.

Syri TV ka pyetur të afërmit e pacientëve pranë Spitalit Infektiv. Njëri shprehet se vetëm në 5 ditë ka shpenzuar për vajzën që ishte në fazën fillestare 15 mijë lekë të reja.

Një pacient i diagnostifikuar me Covid-19 në stad të dytë i shkon 91.6 mijë lekë për 2 javë trajtim me medikamente. Nëse në një familje janë më shumë se një pacient në gjendje të rënduar, situate ekonomike merr tatëpjetën.

Në këtë faturë nuk përfshihen kostot eushqimeve dhe kujdesit të shtuar që iu nevojitet pacientit apo periudha e cila duhet të qëndroj në banesë dhe pa punë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu