Janë konstatuar shumë në Elbasan/ Si të dallojmë paratë e falsifikuara, mësoni detajet që duhet të kontrolloni

0

Kontakti i njerëzve me paranë është i përditshëm, po aq i madh është dhe rreziku që të kenë në dorë kartëmonedha të falsifikuara. Dokumentari Unpublished në Euronews Albania hedh dritë mbi falsifikimin e parave. Edhe paraja shqiptare, leku nuk i ka shpëtuar falsifikimeve. Eksperti i Bankës së Shqipërisë Aranit Bajraj tregon për Unpublished si të njohim kartëmonedhat e falsifikuara nëpërmjet elementëve kryesore të sigurisë.

“Gjëja e parë kur njerëzit bien në kontakt me një kartëmonedhë është prekja. Duhet pasur parasysh se gjatë këtij momenti materiali i pambukut ka një ndjesi krejt tjetër nga materialet drusore. Moment i rëndësishëm janë edhe elementët e printimit për njerëzit me aftësi të kufizuar. Janë dy tulbare në anë të kartëmonedhës që janë të ndjeshme gjatë prekjes”,- thotë Aranit Bajraj përgjegjës i qendrës të analizës në Bankën e Shqipërisë për Unpublished në Euronews Albania.

Elementi tjetër për të dalluar një kartëmonedhë të falsifikuar është nëpërmjet shikimit dhe eksperti i Bankës së Shqipërisë e tregon me kartëmonedhën 5 mijë lekëshe.

“Kontrolli i kartëmonedhës kundrejt dritës do të thotë që të shikohet figura, që ndodhet në pjesën e kartëmonedhës. Aty shohim portretin e Skënderbeut i shoqëruar me vlerën nominale dhe me shqiponjën. Ndërsa në kartëmonedhën e falsifikuar është e zbehtë dhe aspak e dukshëm. Gjithashtu do të shohim fillin e sigurisë që në kartëmonedhën e vërtetë është një shirit i pandërprerë i shoqëruar me simbolin e mburojës dhe shpatës e me vlerën nominale. Ndërsa te ajo e falsifikuar filli i sigurisë është i ndërprerë,”- tregon përgjegjës i qendrës të analizës në Bankën e Shqipërisë.

Ekspertët e bankës së Shqipërisë tregojnë për Unpublished se ndër vite janë përpjekur të forcojnë elementët e sigurisë për të ulur dhe mundësinë e falsifikimit.

“Karakteristika e parë e elementëve të sigurisë janë dallimet me metodën e prekjes, shikimit dhe lëvizjes së kartëmonedhës. Kjo është mundësia e parë për të dalluar nëse një kartëmonedhë është e falsifikuar apo jo. Banka e Shqipërisë është munduar që elementët e sigurisë në kartëmonedhat shqiptare të jenë lehtësisht të identifikueshme me sy të lirë. Me ndryshimet e reja në kartëmonedha është rritur shkalla e lehtësisë për kuptueshmërinë nga ana e publikut, dhe është ulur mundësia e shkallës së falsifikimit,”- shprehet Aranit Bajraj përgjegjës i qendrës të analizës në Bankën e Shqipërisë.

Pavarësisht forcimit të elementëve të sigurisë, falsifikatorët sërish kanë arritur të falsifikojnë para dhe këtë e tregojnë shifrat e larta të arrestimeve nga të dhënat zyrtare të policisë. Vetëm katër muajt e parë të këtij viti nga të dhënat zyrtare të policisë, janë kapur në qarkullim si të falsifikuara 170 mijë lekë të rinj, 10 mijë euro, 800 dollarë dhe 100 franga. Pra mesatarisht 1 milionë e 500 mijë lekë të rinj. Shifra e këtyre 4 muajve përkon me shifrën e të gjithë vitit 2019.

Në Shqipëri Elbasani është një nga qytetet ku falsifikimi i parave, po haset shpesh nga policia.

“Në prokurorinë e Elbasanit kishte shumë raste të kësaj vepre dhe shumë informacione të përdorimeve të këtyre kartëmonedhave, nëpër subjekte tregtare të ndryshme, kryesisht nëpër farmaci. Nga hetimet që ne kemi bërë kemi konstatuar një person 71- vjeçar, që merrej me prodhimin e kartëmonedhave fallco, vlen të theksohet këtu që ishte një person i dënuar më parë po për të njëjtën vepër penale. Ky person i prodhonte, ndërsa të tjerët që kanë dijeni për këtë gjë që ai bën, blejnë karmonedha prej tij dhe i shpërndajnë tek të tjerë të interesuar”,- thotë Ermira Tafani, drejtuese e seksionit të Krimit Ekonomik në Elbasan. infowebtv.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu