“Jetojmë në një vend ku mjeku trajtohet më keq se krimineli”, nga Earta Gega

0

Nuk dua ti futem pjesës së vërtetësisë së lajmeve lidhur me prof. Edvin Priftin. Çdokush është i pafajshëm deri kur vërtetohet e kundërta. Absurdi dhe groteskja e kësaj situate qëndron në faktin që media, portalet të cilat deri para pak javësh e lartësonin për postimet e tij, e vlerësonin për faktin sesi ai kontribuonte me mendimin e tij kritik në fushën e tij dhe më gjerë sot e kryqëzuan, e konvertuan në ushqim për disa like dhe ia servirën një turme të uritur.
Afro 2 vite më parë prof. Edvini i doli në krah kolegut të tij mjek onkolog i cili u lincua në të njëjtën mënyre dhe kjo histori vazhdon të përsëritet. Unë jam mjeke e re, e kam zgjedhur me idealizëm këtë profesion por më zë frika në momentin që njerëzit të cilët do t’ju shërbej do më gjuajnë me gurë në një moment. Jetojmë në një vend ku mjeku trajtohet me keq se krimineli. Gjykatësit lirojnë të akuzuar me burgim të përjetshëm që kanë kryer krime makabre dhe i bëhet gjyqi publik, duke ofenduar e mallkuar një person i cili shërbimin ia ka ofruar kujtdo.
Jemi duke përbaltur një njeri mbi të gjitha, një bir prindesh, një baba. Të gjithë jemi duke përdorur si tabelë qitje një familje të tërë duke i shkaktuar vraja në shpirt dhe trauma. Po vrasim moralisht dikë dhe të afërmit e tij, i cili mirë apo keq i ka shërbyer vendit të vet apo vendeve të tjera prej afro 20 vitesh.
Pse ikin mjekët nga Shqipëria? Pse ndodh hemorragjia e ikjes së mjekeve?
Ç’duhet të bëjmë kur një ditë na ngrini në qiell dhe ditën tjetër na përcëlloni të gjallë në ferr.
Megjithëse në shekullin e 21, dhe si popull tregohemi mendjehapur për fenomene si Përputhen e Love Story për gjëra të tjera i bëjmë gjyqin publik një njeriu pa dëgjuar variantin e tij.
T’i bëhet një hetim i drejtë i paanshëm dhe nëse vërtetohet që ka bërë shkelje të marrë dënimin, por mos ta shqyejmë si një tufe hijenash që na është hedhur një copë mish.
Deri dje e konsideronit aset, e falenderonit për jetët e shpëtuara, sot ndërkohe dalin persona që shprehen që kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash.
Hipotetikisht po e konsideroj të vërtete, pse nuk u prononcuan më parë? Pse nuk e denoncuan? Në sa vite praktike pune pse nuk doli askush ta akuzonte por vershuat tani si lum? Se nëse e kemi ditur dhe kemi heshtur jemi të gjithë bashkëpunetorë të tij.
Profesori që po nxijmë nuk ka shpëtuar asnjë jetë? Nuk ka kontribuar asnjëherë për mirë për këtë vend? Nuk ka ndihmuar askënd nga ju? Nuk ka shpëtuar asnjë jetë?
Refuzoj të justifikoj apo të gjykoj një person, por realisht ndjehem e pezmatuar, e frikësuar deri diku, kur mendoj që vendi të cilit kam vendosur ti shërbej çdo ditë me përkushtim, një ditë, në çastin që sdo ta pres do më vrasë.
Dje ishte dr. Enesi, sot prof. Edvini, po nesër kush do e ketë rradhën?
Unë?…Pse jo dhe ti që e lexon këtë postim. Herët a vonë të gjithë do e kemi rradhën. Do bëhemi dash kurbani për një turmë të tërbuar, sepse u gjendëm në kohë të gabuar në vend të gabuar. Se jetojmë në vendin e çudirave ku është e lehtë të etiketosh një mjek si kriminel dhe t’ia zerosh një karrierë të tërë dhe në kontrast kriminelin t’a nxjerrësh nga hekurat.
Jetojmë në një vend ku të vrasin natën e të qajnë ditën!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu