Ka mungesë tregu! Shqiptarët lënë ullinjtë e tyre në Shqipëri dhe shkojnë të vjelin të grekut në Greqi!

0

TIRANË- Në kushtet e një mungese të tregut vendas, fermerët po largohen drejt Greqisë e cila nuk ka më fuqi punëtore për të përballuar punët e sezonit të vjeljes. Fermerët shqiptarë ndihen jo të vlerësuar për atë çka fund sezoni i çdo prodhimi u jep. Edhe për vreshtat e për ullirin nuk ka treg. Ashtu siç nuk pati për shalqinjtë e Lushnjes apo për qershitë e Dibrës gjatë verës.

Mungesa e pikave grumbulluese dhe kantinave që ata shpeshherë kanë kërkuar nuk është arsyeja e vetme. Çmimet e larta të pesticideve, mungesa e politikave mbështetëse dhe emigracioni i lartë po i lënë në stok prodhimet e fermerëve.

Nga ana tjetër, Greqia është në ‘uri’ për forcë punëtore.

Sipas autoriteteve vendore greke, kërkesat më të larta për punëtorë sezonalë janë në zonën e Verias dhe Imathias, ku çdo vit punësohen qindra shqiptarë nga Qarku i Korçës dhe Elbasanit. Unioni i Koperativave Bujqësore të Imatheas në një takim që pati me një delegacion shqiptar të përbërë nga kryetarët e Bashkive të Belshit, Prenjasit, Prefektët e rajoneve të Korçës dhe Elbasanit dhe përfaqësues nga ministria shqiptare e Bujqësisë, diskutoi për nxitjen e punësimit sezonal.

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për punësimin sezonal në vitin 2020 dhe çdo vit rreth 10 mijë punëtorë shqiptarë punësohen për disa muaj në Greqi, kryesisht në bujqësi. Por sipas Ervin Resulit, ekspertit të bujqësisë, nëse Ministria e Bujqësisë do të ofronte mbështetje të mjaftueshme për sektorin në vend, shqiptarët nuk do të largoheshin drejt Greqisë për një punë që do e bënin shumë mirë dhe në Shqipëri.

“Pjesa dërrmuese e prodhimeve të fermerëve shkojnë dëm sepse ministria e Bujqësisë nuk informon se çfarë kulturash duhet të prodhojnë dhe nuk i orienton fermerët si të menaxhojnë produktin”, thotë mandej ai.

Para mungesës së tregut dhe kalbjes së fruta-perimeve në sera, problematika nisi që më shtrenjtimin e çmimeve të lëndëve kimike të cilat i rritën më shumë kostot për fermerët.

“Çmimi i një kuintali ure është rritur me 50% në sezonin e fundit të mbjelljeve, ndërsa në të njëjtën masë janë rritur çmimet e farave, fidanëve, plastmasës , hekurit, plehrave dhe pesticideve. Rritje të cilat ndodhën në një kohë kur prodhuesit kishin pësuar humbje gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve, si rrjedhojë e prodhimit jo cilësor nga fara e keqe”, thotë për Gazetasi.al ai.

Ndërsa sipas Eduard Sharkës, kreu i Shoqatës së Fermerëve, goditja e parë që iu dha bujqësisë nisi me heqjen e skemës së TVSH-së të rimbursueshme.

“Ligji i skemës së TVSH-së detyronte që grumbulluesi të paguante fermerin mbi çmimin e shitjes edhe 6%-shin e TVSH-së dhe kjo quhej TVSH e zbritshme. Për produktet që shiteshin brenda vendit, TVSH-ja i ngarkohej konsumatorit, gjë që është shumë e padrejtë ndërsa për produktet e eksportit, rimbursohej.

Duke qenë se grumbulluesit kryesorë i blinin mallrat e eksportit nga fermerët, 6% që iu ishte paguar fermerëve mbi çmimin e tregut, rimbursohej nga shteti si tepricë kreditore e TVSH-së.

Për vitet 2014-2018, TVSH-ja e kompensueshme ishte 20% dhe për periudhën 2019-2021 u ul në 6%. Këto fonde i kushtuan buxhetit të shtetit, por skema, pavarësisht se konsiderohej e padrejtë, që një tregtar të paguajë një tjetër për llogari të shtetit pa mbajtur komision, ndihmoi indirekt fermerin”, tha Sharka për Gazetasi.al.

Ai mbyll se ndryshe nga vendet perëndimore por edhe ata të rajonit që u kanë paraprirë pasigurive të këtij biznesi, në Shqipëri subvencionet janë të pamjaftueshme duke mos i stimuluar fermerët dhe politikat fiskale janë jo favorizuese. Sipërfaqet e mbjella në serat e Myzeqesë kanë rënë me mbi 25% sipas të dhënave të terrenit të grumbulluara nga fermerët, eksportuesit dhe tregtarët e inputeve.

Luhatja e prodhimit bujqësor në këtë zonë është sinjalizuesi më i qartë i çrregullimit të ekonomisë vendase dhe trajektores së krizës ku ka hyrë bujqësia, thonë ekspertët./GazetaSi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu