Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka hedhur poshtë idenë se Mbretëria e Bashkuar do të pezullojë përdorimin e vaksinës anti-Covid “AstraZeneca”, të zhvilluar me Universitetin e Oksfordit.
Johnson ka thënë se ai nuk ka pasur “asnjë arsye” për të ndërprerë ndonjë nga vaksinat që administrohen në vend.
Kryeministri ka shtuar se rregullatori i ilaçeve në Britaninë e Madhe është “një nga më të besueshmit dhe më me përvojë”.
“Vaksinat janë shumë të efektshme për të parandaluar jo vetëm shtrimin në spital, por edhe sëmundjet serioze e vdekshmërinë”, ka thënë Johnson përpara gazetarëve.
“Ne vazhdojmë të jemi shumë të sigurt në lidhje me programin e vaksinimit”, ka shtuar më tej kryeministri i Britanisë.