LAJM I FUNDIT/ U mbajtën 12 orë në komisariat, arrestohen 3 kontrollorët e Rinasit

0

 

3 kontrollorëve të aerportit të Rinasit u është komunikuar masa e arrestit në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga ku mbahen prej 12 orësh.

3 personat e arrestuar janë Flora Ndreca, Muhir Mezini dhe Armando Fezga, ndërkohë që akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e shpërdorimit të detyrës.

Këta persona bëjnë me dije burimet, dyshohet se janë organizatorë të situatës në Albcontroll, ku të gjithë kontrollorët njëzëri shpallën paaftësinë e përkohshme për punë.

Avokati i kontrollorëve të trafikut ajrorë, Rezart Kthupi, përmes një prononcimi për mediat më herët tha se akuza për shpërdorim detyre nuk qëndron, pasi kjo akuzë vlen për administratën publike dhe jo për një sh.a që nuk varet nga shteti.

”Shpërdorimi i detyrës është një term që përdoret për administratën shtetërore nuk e di arsyetimi që bën prokuroria për ta konsideruar si ‘Shpërdorim Detyre’. AlbControl është një sh.a që nuk pjesë e administratës shtetërore”, tha Rezart Kthupi.

Në një njoftim të dhënë më parë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), Aerporti i Rinasit do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri në orën 15 të pasdites së sotme, ndërkohë që disa prej qytetarëve janë njoftuar se pasdite mund të nisin fluturimet.

Mbrëmjen e djeshme me kërkesë të ministrit përgjegjës për Infrastrukturën dhe Energjinë u mblodh Komiteti i Mbrojtjes Civile, organi i përhershëm i Emergjencave Civile për situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga ndalimi i qarkullimit ajror nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ngarkoi me detyrë gjatë mbledhjes Belinda Ballukun, për zëvendësimin e kontrollorëve që kanë braktisur detyrën sipas zyrtarëve të qeverisë.

“Ngarkohet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, me të huaj ose me vendas. Të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës. Ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. E kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim”, ka thënë Peleshi gjatë mbledhjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu