LAJM I FUNDIT/ Vetëdorëzohen në polici të gjithë të dyshuarit për vrasjen e Mehmet Qemës

0

Janë vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës, të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e të riut Mehmet Qema, mbrëmjen e djeshme në një lokal në zonën e 5 Majit në Tiranë.

Fillimisht në Policinë e Tiranës, u vetëdorëzua shtetasi Marjus Dema, i cili dyshohet se është personi që ka shkrepur armën, dhe pas tij janë vetëdorëzuar Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti, Frenkli Myftari e Xhuljano Koçi, mbi të cilët rëndon akuza e moskallëzimit të krimit.

Të gjithë të rinjtë kanë qenë së bashku në momentin kur Qema ka marrë një plagë në gjoks nga miku i tij, dhe pas dërgimit të viktimës në ambientet e QSUT-së ata janë larguar nga frika e një arrestimi të mundshëm.

Plaga e marrë nga arma e zjarrit ka qenë fatale për 27-vjeçarin, i cili ka pasur njohje me shumë personazhe të njohur të artit dhe të muzikës në Shqipëri, si dhe ka qenë pjesë e disa klipeve muzikore.

28-vjeçari Marjus Dema, i cili vrau me armë mbrëmë në Tiranë shokun e tij, Mehmet Qemën, është shfaqur i penduar përpara punonjësve të Policisë, në lidhje me atë që kishte ndodhur një natë më parë, pas një konsumi bisede mes miqsh.

Dema është shprehur se nuk e dinte që arma ishte e mbushur në momentin që ia ka drejtuar Qemës, ndërsa duke qarë me ngashërim, ai ka thënë se më shumë i vinte keq për shokun që vrau se për burgun që do të bëjë.

“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme.

Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën. Më shumë më vjen keq për mikun që humba, sesa për burgun që do të vuaj”, ka thënë 28-vjeçari në polici.

Dema është rikthyer bashkë me policinë në vendin e ngjarjes, saktësisht në rrugën ‘5 Maji’ për të zbërthyer për autoritetet ngjarjen e rëndë. Dyshohet se të rinjtë kishin dhe aktivitet në fushën e prodhimit të monedhave dixhitale, të njohura ndryshe dhe si bitcoin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu