“Ligji i dekriminalizimit dështoi t’i ‘pastronte’ partitë politike”, BIRN: Mekanizmat krijojnë vonesa dhe nuk janë efikase

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nisi vitin 2023 me verifikimin e figurës së dy kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e prillit 2021; Agron Kapllanaj nga Partia Demokratike dhe Kleo Murataj nga Partia Social Demokrate.

Sipas ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, u ndalohet e drejta për t’u zgjedhur në funksionet publike të deputetit, kryetarit të bashkisë ose anëtarit të këshillit bashkiak personave me precedentë të mëparshëm penalë.

Verifikimi i thelluar i kryer nga Prokuroria ka nxjerrë në dritë dënime të hershme për të dy kandidatët.

Ish-kryetari i bashkisë së Mallakastrës dhe një figurë qendrore e PD-së në këtë qytet, Kapllanaj është favorit për të qenë sërish kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit. Sipas Prokurorisë, Kapllanaj është dënuar në vitin 2004 në Firence të Italisë me 2 vjet burg dhe 300 euro gjobë për veprën penale të vjedhjes.

Ndërsa Murataj që vjen nga radhët e partisë së Tom Doshit, një tjetër figurë e verifikuar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, rezulton i dënuar nga gjykata e Tiranës në vitin 1991 me 2 muaj riedukim për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Kapllanaj dhe Murataj nuk arritën të zgjidheshin deputetë, por vendimi i pritshëm i KQZ-së për verifikimin e figurës së tyre mund të ndikojë në karrierën e mëtejshme politike për ta.

Në raportimin në Kuvend për vitin 2021, KQZ deklaroi se ka kryer verifikime për 1841 kandidatë për deputetë dhe nga verifikimet rezultoi se 64 kandidatë kishin deklaruar dënime/masa/dëbime dhe 1 kandidat rezultoi me masë në fuqi. Gjithashtu, 42 kandidatë nuk i kishin deklaruar precedentët e tyre të mëparshëm, por sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve rezultojnë të dënuar.

KQZ theksoi gjithashtu problematikën me listat e këshilltarëve bashkiake, ku dhjetra kandidatë kanë dalë me rekorde kriminale, kanë refuzuar të plotësojnë formularin e dekriminalizimit ose janë dorëhequr, gjë që ka bërë që procesi i zëvendësimit të tyre të çojë në shterim të listave shumëemërore në disa bashki.

I miratuar në vitin 2015, ligji i njohur gjerësisht si ligji i dekriminalizimit erdhi si nevojë e pastrimit të politikës shqiptare nga personat me rekorde kriminale, por shtatë vjet më pas, ekspertët e shohin me dyshim suksesin e tij në vetëpastrimin e partive politike – çka synohej të ishte edhe qëllimi kryesor afatgjatë i këtij ligji.

Edhe pse qindra kandidatë apo zyrtarë të niveleve të ndryshme janë penalizuar për shkak të ligjit, Instituti i Studimeve Politike, ISP, – një think tank që monitoronin në vazhdimësi zbatimin e procesit të dekriminalizimit – vëren se partitë politike nuk i kanë përjashtuar këta zyrtarë nga radhët e tyre, duke ecur në kah të kundërt me frymën e ligjit.

“Fakti se edhe pas 7 vitesh vijojmë të kemi individë me rekorde kriminale në politikë, në ekzekutiv dhe në administratë, është tregues i mungesës së qartë të vullnetit politik nga parti që janë përgjegjëse në promovimin e tyre, tregues i nivelit të lartë të inkriminimit të jetës publike dhe politike, si dhe i dobësisë në mekanizmat e meritokracisë, promovimit dhe konkurrimit për postet publike,” tha drejtori ekzekutiv i ISP, Afrim Krasniqi.

Sipas Krasniqit, individët me rekorde kriminale të penalizuar për shkak të dekriminalizimit, u përfshinë në çdo fushatë në stafet elektorale të partive dhe sipas tij, e njëjta gjë rrezikon të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Vendimmarrje të vonuara

Mekanizmat që ofron ligji i dekriminalizimit për parandalimin e futjes së elementëve të tillë në politikë krijojnë vonesa dhe nuk kanë efikasitetin e pritshëm.

Parandalimi u është besuar partive politike, të cilat mund të funksionojnë si filtër i parë në kryerjen e verifikimeve, gjë që sipas Krasniqit nuk është bërë zyrtarisht nga “PS, PD, LSI apo PSD”.

Dy institucionet përgjegjëse për të kaluar në sitë listat e partive, sa herë ka zgjedhje, janë KQZ dhe Prokuroria, të cilat vonojnë në vendimmarrje ose nuk janë efektive në procesin e verifikimit.

Kreu i ISP, Afrim Krasniqi thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mekanizmat e duhur, burimet njerëzore dhe as një metodikë efikase verifikimi të thelluar, të shpejtë dhe të besueshëm.

“Vendimmarrjet e KQZ janë të vonuara dhe proceduriale,” tha Krasniqi, duke sjellë në vëmendje faktin se verifikimet nuk kanë përfunduar ende për kandidatët e zgjedhjeve të vitit 2021.

Rol në këto vonesa ka edhe institucioni i Prokurorisë.

“Prokuroria nuk ka përgjegjësi vetëm të përgjigjet ndaj faktit publik, p.sh. kur një dokument dënimi del në publik, por të kryejë hetime kryesisht dhe mbi çdo raportim të medias ose aktorëve të tjerë publikë, gjë që nuk e ka bërë,” shtoi Krasniqi.

Si ilustrim, ai prezantoi një kërkese për verifikim që Instituti i Studimeve Politike i kishte dërguar Prokurorisë, por mori si përgjigje refuzimin me argumentin se verifikimi mund të kryhej vetëm me kërkesë të institucionit përgjegjës, ku zyrtari është vetë drejtues.

I pyetur se pse partitë politike nuk heqin dorë nga promovomi i elementëve kriminalë, Krasniqi, u përgjigj se: “kjo është metoda më me pak kosto për të siguruar vota dhe pushtet”. Për këtë, ai sjell disa shembuj se si futja e elementë të tillë në garë ndryshuan sjelljen elektorale dhe raportin elektoral në disa qytete të vendit.

Krasniqi iu referua Kavajës, e cila nga 60% vota për partitë e djathta, me një prurje nga kategoria e individëve të inkriminuar, ndryshoi raportet dhe fitoi dy mandate.

“E njëjta situatë në Vlorë, në Lezhë, në Elbasan, në Kukës, në Fier, dhe qartësisht edhe në Dibër, ku përmes së njëjtës praktikë abuzive u siguria fitorja e një partie inekzistente në mazhorancë,” shtoi ai.

Krasniqi beson se partitë mund të dekriminalizohen vetëm nëse parashihet penalizim ligjor për promovimin e kandidatëve të inkriminuar dhe penalizim për titullarin që bën emërime të këtyre personave.

Një sfidë tjetër mbetet transparenca me ligj e partive dhe strukturave të tyre, që të bëjnë publike CV-të e stafeve drejtuese në qendër dhe degët lokale si dhe të kryejnë verifikimet paraprake sipas ligjit./Reporter.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu