Myslimanët e torturuar në kampe përqendrimi: Pasi Kina mohoi akuzat, zbardhen detajet tronditëse

0

Amnesty International raporton se politikat e Kinës ndaj myslimanëve në Uyghur kanë përçarë mijëra familje, pasi disa fëmijë nuk lejohen të largohen nga rajoni i Kinës, Xinjiang, për të qenë me prindërit e tyre që jetojnë jashtë.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e kanë etiketuar trajtimin e Kinës ndaj njerëzve Uyghur si gjenocid. Pekini mohon me forcë akuzat, duke këmbëngulur se veprimet e vendit janë të justifikuara për të luftuar ekstremizmin fetar dhe për të parandaluar terrorizmin. Davic Culver, reporter për CNN, udhëtoi në rajonin e Xinjiang, në kërkim të fëmijëve, që po kërkohen nga shumë prindër, të dëshpëruar për një përgjigje.

Kush janë Uyghur-ët?  – një pakicë etnike kryesisht myslimane, në rajonin perëndimor të Xinjiang, Pekin.

Departamenti i Shtetit i SHBA vlerëson se deri në 2 milionë Uyghur dhe pakica të tjera myslimane kanë kaluar nëpër një rrjet të gjerë të qendrave të paraburgimit në të gjithë rajonin, ku ish-të arrestuarit pretendojnë se ata ishin subjekt i indoktrinimit politik intensiv, punës së detyruar, torturave dhe madje edhe abuzimit seksual.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët Uyghur jashtë shtetit gjithashtu kanë akuzuar qeverinë kineze për asimilim të detyruar kulturor dhe kontroll të shtrënguar të lindjeve dhe sterilizimit kundër Uyghur-ëve.

Ku është Xinjiang dhe kush jeton atje?

Xinjiang është një rajon i gjerë në perëndimin e largët të Kinës. Si rajon etnikisht i larmishëm, ai është shtëpia e një shumëllojshmërie të grupeve etnike të pakicave. Grupi më i madh janë Uyghur-ët, të cilët  flasin një gjuhë të lidhur ngushtë me turqishten dhe kanë kulturën e tyre të veçantë. Historikisht, Uyghur-ët kishin qenë shumica në rajon. Tani, ata përbëjnë pak më shumë se gjysmën e popullsisë totale të 22 milionë banorëve të Xinjiang, dhe shumë prej tyre jetojnë në pjesën jugore, rurale të Xinjiang.

Çfarë ndodhi?

Grupet e pakicave të Xinjiang janë ndjerë prej kohësh të lënë jashtë bumit ekonomik, duke pretenduar diskriminim të gjerë të punësimit në industritë e kontrolluara nga shteti.

Në vitet e fundit, Pekini ka rritur kufizimet mbi Islamin në emër të luftës kundër terrorizmit. Goditja përfshin ndalimin e perçeve (veshjes hijab), mjekrave të gjata dhe emrave islamë, goditjen e grupeve të studimit të Kuranit dhe parandalimin e zyrtarëve myslimanë nga agjërimi për Ramazan. Autoritetet gjithashtu mblodhën të dhëna biometrike të banorëve dhe kryen kontrolle të çastit në telefonët e tyre për të skanuar përmbajtje që konsiderohen si problematike ose të dyshimta.

Çfarë janë kampet e paraburgimit?

Hapi më i madh që Kina ka ndërmarrë në shtypjen e kësaj popullsie është rrjeti i kampeve të paraburgimit në të gjithë rajonin. Ish-të arrestuarit kanë përshkruar përjetimin e indoktrinimit dhe abuzimit politik brenda kampeve, të tilla si privimi i ushqimit dhe gjumit, injeksione të detyrueshme, sterilizime të detyrueshme, aborte dhe përdhunime në grupe. Ata u prangosën dhe u detyruan të jetonin në kushte të këqija.

Një e paraburgosur thotë se ajo u fut në një qeli me 20 gra të tjera dhe u lejua të përdorte tualetin vetëm një herë në ditë, për tre deri në pesë minuta. Ato që qëndronin më shumë kohë goditeshin nga elektroshopi.

Në një raport të lëshuar në mars, Amnesty International vlerësoi se mund të ketë mijëra fëmijë Uyghur që janë ndarë nga prindërit e tyre për vite, si rezultat i shtrëngimit të qeverisë ndaj Xinjiang. Fillimisht, Pekini mohoi në mënyrë të prerë ekzistencën e kampeve, por më vonë pretendoi që këto objekte janë vullnetare, si “qendra të formimit profesional” ku njerëzit mësojnë aftësi pune, gjuhë kineze dhe ligje. Qeveria tani këmbëngul se kampet janë të nevojshme për parandalimin e ekstremizmit fetar dhe terrorizmit.

Dokumentet e qeverisë kineze të publikuara, megjithatë, zbuluan se njerëzit mund të dërgoheshin në një qendër paraburgimi thjesht se mbanin një mjekër të gjatë, apo kishin një veshje të caktuar. Ata që u zhdukën në kampe përfshijnë gjithashtu intelektualë dhe artistë – pra, njerëz që nuk kanë nevojë për “trajnim profesional”, ashtu siç pretendon qeveria kineze.

Dokumentet, së bashku me raportet e tjera të dorës së parë, paraqesin një pamje alarmante të asaj që duket të jetë një fushatë strategjike nga Pekini për ta larguar këtë popullatë nga identiteti i saj kulturor dhe fetar dhe për të shtypur sjelljen e konsideruar jo patriotike.

Qeveria kineze ka sfiduar vërtetësinë e lajmeve të publikuara. Në gusht të 2020-ës, BBC gjithashtu publikoi disa dokumente të ngjashme, të cilat ambasadori i Kinës në Mbretërinë e Bashkuar i përgënjeshtroi si “fake news”:

“Po ju them se dokumentet ose ato që quani ju dokumente janë një trillim i pastër. Mos i dëgjoni lajmet e rreme”, ka mbyllur replikën Ambasadori me gazetarin e BBC.

Burimi: BBC, CNN

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu