Ndryshime në Prokurorinë e Elbasanit. Lëvizje edhe në Shkodër, Kukës, Tiranë e Durrës

0

Prokuroritë e rretheve janë përfshirë nga një valë transferimesh të prokurorëve dhe drejtuesve, pasi anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kanë vendosur të miratojnë 17 ndryshime.

Kryesisht janë prekur prokurorë që ushtrojnë funksionin e tyre pranë prokurorive të Durrësit, Korçës, Tiranës, Shkodrës, Krujës dhe Elbasanit.

Artur Ismailukaj, i cili drejtonte prokurorinë e Tropojës, është transferuar në prokurorinë e Elbasanit si prokuror i thjeshtë. Prokurorisë së Elbasanit, i është bashkuar dhe prokurori Ervin Beqiri, i cili më parë ka shërbyer në prokurorinë e rrethit të Korçës.

Është transferuar prokurori i Shkodrës Xhevahir Lita, i cili kohët e fundit ishte angazhuar në hetimin e vrasjes me 79 plumba të Bardhok Planaj në Dobraç të Shkodrës.

Lita, është transferuar në prokurorinë e Tiranës. Ndërsa prokurori i Tiranës, Etien Kapo, është larguar pas shumë vite në detyrë në këtë institucion, duke u emëruar si prokuror pranë prokurorisë së Apelit në Durrës.

Në të njëjtën prokurori, është transferuar dhe prokurori, Elvin Gokaj, i cili kaloi me sukses verifikimin në vetting dhe më pas shërbeu si prokuror Apeli në Shkodër.

Gokaj, transferohet tashmë në Apelin e Durrësit, për të vijuar dhe përfaqësuar akuzën në gjyq pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Në Apelin e Shkodrës, emërohet në krye të prokurorisë Lazer Çardaku. Anëtarët e KLP, kanë larguar nga posti i drejtimit të prokurorisë së Lezhës, prokurorin Milan Laska, i cili është transferuar si prokuror i thjeshtë, në prokurorinë e Tiranës.

Në vendin e drejtuesit të prokurorisë së Lezhës, është caktuar prokurori, Erjon Shehu. Një tjetër emër që “braktis” prokurorinë e Lezhës është, Arben Agovi, i cili transferohet në prokurorinë e Tiranës.

Kësaj prokurorie i bashkohet dhe magjistratja, Ornela Rrumbullaku, që më parë ka shërbyer pranë prokurorisë së Kavajës.

Nga Kavaja është larguar dhe Edina Kurti, e cila është transferuar në prokurorinë e Durrësit.

Për shkak të vendeve vakante në prokurorinë e Tiranës është transferuar dhe prokurorja e Lushnjës, Rovena Bozo.

Ndërsa, vendin e saj në Lushnjë e zë, Edmond Karriqi, i cili është transferuar në këtë detyrë nga prokuroria e Kukësit.

Por pavarësisht këtij transferimi, Karriqi është komanduar nga KLP si drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, për periudhën nga 27 prilli deri në 26 tetor 2021. Nga posti i drejtuesit është larguar dhe prokurori i Vlorës, Erion Çela, i cili është emëruar prokuror pranë prokurorisë së Apelit në Vlorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu