“Negociohen me kontrollorët”, DW shkrim për situatën në Rinas

0

Ngërçit të krijuar në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë prej grevës së kontrollorëve të fluturimeve iu dha fund të enjten (08.04). Pas 24 orëve pa asnjë ulje-ngjitje avionësh në Rinas, kanë nisur vetëm fluturime shëndetësore, diplomatike, ushtarake, qeveritare dhe humanitare. Nga dita e premte (09.04) rinisin fluturimet komerciale.

Burime zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, thanë për DW, se “autoritetet e kësaj ministrie po vazhdojnë negociatat me kontrollorët e trafikut ajror që kanë lënë punën. Arritja e një zgjidhjeje dhe rikthimi i tyre në punë punë është synimi kryesor.”

Po sipas këtyre burimeve, kjo ministri po konsultohet me vende partnere të BE-së dhe të rajonit për të vënë në dispozicion kontrollorët e tyre deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës.” Derisa kjo të ndodhë, drejt dhe nga aeroporti do të ketë vetëm fluturime shëndetësore, diplomatike, ushtarake, qeveritare dhe humanitare.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri me dije, se “një pjesë e kontrollorëve do të kthehen në punë të premten” dhe se “një grup kontrollorësh pritet të mbërrijë nga Greqia”.

Kontrollorët hynë në grevë (07.04), pasi të ardhurat e tyre mujore janë ulur për shkak rënies së fluksit të fluturimeve prej pandemisë COVID-19. Prej disa muajsh kontrollorët kanë kërkuar që uljen e pagës për shkak të pandemisë t’ua kompensojë shteti.

Kontrollorët europianë: Lironi kolegët tanë të arrestuar

Organizata “Koordinimi i Sindikatave Europiane të Kontrollit të Trafikut Ajror”, e njohur me inicialet ATCEUC ( Air Traffic Control European Unions Coordination) në një deklaratë për shtyp, të publikuar të enjten (08.04), mbështet kërkesat e kolegëve shqiptarë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe u kërkon autoriteteve të Shqipërisë “të lirojnë menjëherë tre kontrollorët e arrestuar”, të cilët akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për “shpërdorim detyre”.

Në deklaratën për shtyp të ATCEUC theksohet që “Albcontrol ka reduktuar në mënyrë të njëanëshme deri në 70% pagat e të punësuarve, pa u konsultuar ose biseduar me sindikatat që përfaqësojnë kontrollorët dhe ka refuzuar çdo kërkesë të sindikatave për të negociuar një marrëveshje për të zgjidhur krizën, gjë që ka shlaktuar një stres më shumë tek ata në kohën e një krize globale.”

Deklarata për shtyp e ATCEUC vë në dukje gjithashtu që “kontrollorët nuk po veprojnë politikisht, por po kryejnë detyrat e tyre në bazë të udhëzimeve / instruksioneve kombëtare dhe europiane.”

“Anëtarësimi në BE kërkon që Shqipëria të respektojë jo vetëm udhëzimet europiane, por edhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat Shoqërore”, theksohet në reagimin e ATCEUC.

Lidhur me kërkesën e ATCEUC për lirimin e tre kontrollorëve të arrestuar, burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thanë për DW, se “fjalën tani e ka drejtësia, Çështja ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës që është një institucion i pavarur. Prokuroria ka zbardhur mesazhet telefonike që kanë shkëmbyer tre të arrestuarit me kontrollorët e tjerë për të lënë në të njëjtën kohë punën.” Sipas burimeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë “kontrollorët e trafikut ajror e kanë të ndaluar me ligj zhvillimin e grevës, për vetë rëndësinë që ka puna e tyre në kontrollin e hapësirës ajrore të Shqipërisë. Në këtë kontekst lënia e punës prej tyre është e paligjshme.”

Situata e krijuar në aeroportin “Nënë Tereza” është politizuar. Kundërshtarët kryesorë politikë në garën për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetari i opozitës dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëjnë përgjegjës njëri – tjetrin për ngërçin e krijuar, pikërisht rreth dy javë para ditës së zgjedhjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu