Përleshja mes bashkëshortëve biznesmenë, arrestohet në spital burri, e pësojnë dhe kamarieri me guzhinierin

0

 

Policia e Kavajës ka vënë në pranga shtetasin Kastriot Dema, i cili dyshohet se ka plagosur lehtë me thikë partneren e tij italiane, me të cilën është në prag ndarjeje.

Ndërkohë që Policia njofton se janë proceduar dhe dy persona të tjerë, që kanë qënë pjesë e stafit të resortit që ndodhet në zonën e Vilë Bashtovës.

Konflikti mes çiftit në proces divorci ka nisur për pronësinë e restorantit. Gruaja e cila u lëndua lehtë në dorë pretendon se është plagosur nga Dema, ndërsa ky i fundit edhe vetë është shtruar në spital, për shkak se është dhunuar nga kamarieri dhe kuzhinieri i lokalit.

“Në 2 të natës dëgjoj emrin tim. O Kastriot do të bëj këtë, do të bëj atë duke më sharë. Kuzhinieri, punëtori i ish-bashkëshortes hipën në ballkon dhe çan derën. Dal nga dera dhe sa dola ishte Carlota dhe ky tjetri. Me çelës papagall dhe thikë. Thikën ia hoqa nga duart dhe u largova. U lirova dhe ika tek babai, pastaj nuk mbaj më mend”, u shpreh dje Dema.

Për ngjarjen ka folur edhe babai i 32-vjeçarit, i cili ka thënë se djali i tij e kishte marrë në telefon për t’i thënë se donin ta vrisnin. Ai ka kërkuar nga autoritetet që të bëjnë drejtësi për ngjarjen.

“Më mori në telefon djali, ‘baba tha po më vrasin’. Unë kam qenë tek parkimi i makinave, pa asgjë në dorë. U dorëzova dhe i thashë unë s’kam asnjë mjet me bo luftë me ju. Kuzhinieri dhe kamerieri, ajo rrinte pak më tutje më erdhën të dy afër dhe në momentin që ai po ia bënte me dorë, thika e gjatë e kuzhinës ra poshtë. Mora djalin me gjak si ishte me makinë. Djali kishte lajmëruar policinë, por nuk kishte ardhur akoma. Ne kërkojmë vetëm drejtësi”, tha babai.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. D., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” gjatë një konflikti për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij e cila u pajis me Urdhër të Menjëhershëm të Mbrojtjes.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasit G. B dhe F. V., pasi kanë ndërhyrë gjatë konfliktit nëpërmjet shtetasve të lartpërmendur duke goditur shtetasin K. D., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në ngarkim të shtetasit K. D (i arrestuar) dhe për veprën penale “Plagosje e lehtë në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve G. B dhe F. V, të proceduar në gjendje të lirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu