Problematikat që shfaqin reshjet e dëborës dhe shiut në zonat turistike të Shqipërisë

0

Rruga e fshatit turistik të Dardhës u bllokua pas mesnate për shkak të reshjeve të dëborës që përfshinë edhe Voskopojën e Qafën e Qarrit në Juglindje.

Rreshjet gjatë natës kanë qenë me intensitet më të lartë , duke arritur deri në 20- centimetra trashësi në disa zona.

Për të hapur rrugët gjatë natës është punuar për pastrimin e tyre me dy borëpastruese në Dardhë, një në Voskopojë dhe një në Qafën e Qarrit.

Këtë të hënë, sipas autoriteteve, të gjitha rrugët janë të hapura dhe qarkullohet pa probleme dhe pa nevojën e zinxhirëve.

Por policia këshillon drejtuesit e mjeteve që duhet të jenë të pajisur me goma dimërore për të shmangur çdo rrezik që mund të krijohet në rrugë.

Reshjet e shiut e dëborës kanë krijuar problematika të shumta edhe në qarkun e Kukësit.

Në disa rrugë ka pasur rrëshqitje dherash dhe inertesh.

Më problematike mbetet situata në aksin Bajram Curri – Valbonë, ku rrëshqitjet janë të pranishme në disa pika të rrugës.

Autoritetet rajonale thonë se aktualisht po punohet për normalizimin e situatës në rrugët rurale, ndërsa të gjitha akset kombëtare raportohen të kalueshëm.

Në qarkun e Shkodrës ndërkohë, Thethi mbetet pothuajse i izoluar pasi trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër.

Nga Qafa e Thorës deri në brendësi të fshatit turistik lëvizin vetëm makinat e larta.

Në pjesën tjetër të vendit, moti karakterizohet me reshje shiu e temperatura të ulëta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu