Protesta e dhunshme, Noka: Demokratët s’kanë faj, thjesht hapën dyert e mbyllura

0

Deputeti Flamur Noka i ka konsideruar të pafajshëm demokratët që sot zhvilluan një protestë të dhunshme para selisë blu. Pavarësisht se përplasja la persona të lënduar dhe të plagosur, Noka tha se e vetmja gjë që bënë demokratët ishte të hapnin dyert e dritaret që gjetën të mbyllura. Sipas Nokës, askush nuk mund t’i bëjë me faj demokratët që hynë në shtëpinë e tyre.

“Nuk kishte gjë më të dhimbshme për këta demokratë që panë shtëinë e tyre të shndërruar nga pengu dhe nga Rama në bunker. Revolta ka bërë që ata të bëjnë gjithçka për të hyrë në shtëpinë e tyre, nuk ka peng që i ndalon demokratët të hyjnë në shtëpinë e tyre. Rama me këtë që bëri sot tentoi të tregonte se është edhe kryeministër, edhe kryetar i Opozitës. Asnjë faj dhe asnjë dëm nuk kanë bërë, thjesht dyert e dritaret që i gjetën të mbyllura, i hapën, ky nuk është faj,”- tha Noka.

Por çfarë ndodhi sot brenda oborrit të PD?

Një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar u regjistrua sot në selinë e PD-së, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje nga të dyja palët, mbështetësit e Sali Berishës, e ata të Bashës ishin të mbyllur brenda. Edhe pse tentuan, demokratët që shqyen dyert e jashtme të selisë, nuk depëtuan deri tek zyra e kryedemokratit Lulzim Basha në katin e dytë. Teksa përplasja intensifikohej Lulzim Basha ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila i është përgjigjur menjëherë duke marrë në kontroll situatën, duke nisur edhe shoqërimet e para.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu